Fjalë Kyçe

Vendimin e Agjencisë për Akreditim, Ambasada Amerikane e quan të duhur

Vendimin e Agjencisë për Akreditim, Ambasada Amerikane e quan të duhur

Ambasada Amerikane në Kosovë, e vlerëson të duhur vendimin e Agjencisë për Akreditim.

“Vendimi i Agjencisë së Akreditimit të Kosovës për ta tërhequr akreditimin e disa institucioneve të arsimit të lartë ishte i vështirë por ishte vendim i duhur. Është roli i tyre për të bërë vendime objektive dhe të bazuara në standardet e nevojshme për t’u siguruar studentëve të Kosovës të marrin arsimin cilësor që ata e meritojnë”, thuhet në kumtesën e ambasadës amerikane, transmeton Koha.net.

Ndonëse kjo çështje ka ngjallur reagime të shumta në vend, edhe BE-ja e ka përkrahur vendimin

“Përmirësimi i arsimit në Kosovë është absolutisht i domosdoshëm”, u tha në reagimin e zyrës së BE-së.

“Më 15 korrik, Këshilli Shtetëror i Cilësisë mori vendim për ndalimin e akreditimit në tri Universitete publike dhe katër kolegje private. Ky vendim do të ketë ndikim në regjistrimin e studentëve për vitin e ardhshëm akademik. Ne e kuptojmë që këto universitete do të vazhdojnë të funksionojnë dhe që studentët e regjistruar tashmë do të vazhdojnë pa ndërprerje me vitin e ardhshëm akademik. Ky vendim ishte i vështirë por i drejtë dhe në përputhje me mandatin e Agjencisë për të siguruar arsimin më cilësor”, thuhet tutje.

Ndërkohë, Komisioni parlamentar për Arsim i ka drejtuar kërkesë kryeministrit, Ramush Haradinaj që të raportojë para këtij komisioni lidhur me situatën e krijuar së fundi pas vendimeve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KSHC) për mosakreditimin e disa institucioneve të arsimit të lartë.