Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli po cilësohet i pafuqishëm për të ndërmarrë reformat në partinë e tij, përkundër se qysh para një muaji ishte shumë i zëshëm për t’i larguar nga strukturat e partisë dhe pozitat publike të gjithë personat me aktakuza.
Mos guximi që të ndërmarrë një hap të tillë ndaj njerëzve të fuqishëm në parti, rrethanat e reja politike dhe mundësia e shfrytëzimit të këtyre figurave të rëndësishme në lista zgjedhore, po konsiderohet nga njohësit politik se e ka detyruar Veselin të bëjë një hap prapa në këtë tentativë. Ndërkohë, zyrtarë të PDK-së i mohojnë gjitha këto pretendime për probleme brenda partisë.
Nënkryetari i PDK-së, Memli Krasniqi thotë për KosovaPress se gjitha vendimet e kryetarit Veseli për reforma brenda partisë e kanë përkrahjen e tyre, derisa i mohon zërat për probleme të brendshme duke i cilësuar si tendenca të qëllimshme për t’i dëmtuar.
Për dallim nga shefi i tij partiak, që ka kërkuar nga ata që kanë aktakuza të lirohen nga strukturat e partisë, Krasniqi thotë se gjithë njerëzit që kanë dhënë kontribut brenda PDK-së janë vlera dhe si të tillë e kanë edhe meritën, jo vetëm për të kaluarën, por edhe për të ardhmen e PDK-së.
“Tendenca për me shkaktuar keqkuptime ose me shkaktuar situata të paqena brenda PDK-së është tendencë e dështuar. Fakti që parti tjera kanë probleme të tyre të brendshme dhe me u mundu me relativizu si problemin në gjitha partitë nuk ekziston. Njerëzit që kanë dhënë kontribut brenda PDK-së janë vlera të PDK-së dhe si të tillë e kanë edhe meritën edhe përgjegjësin jo vetëm për të kaluarën, por të sotmen dhe të ardhmen e PDK-së. Kontributi ynë brenda PDK-së është i përbashkët. Nuk ka ekskluzivitet në këtë çështje ne gjithë bashkë jemi pjesëmarrës në ngritjen e PDK-së dhe të ardhëm e saj padyshim. Unë besoj që asnjë mënyrë nuk ka probleme brenda PDK-së gjë që është e verifikueshme”, thotë Krasniqi për KosovaPress.
Këtë veprim të kryetarit të PDK-së e sheh të vështirë, drejtori i Institutin të Kosovës për Drejtësi, Betim Musliu, i cili thotë se ky hap i Veselit ka hasur qysh në fillim në rezistencë të madhe nga ata që konsiderohen të fuqishmit e partisë.
“Hap i cili me gjasë ka hasur qysh në fillim në rezistencë të madhe nga ata që konsiderohen të fuqishmit e PDK-së, sepse imagjinoni tash vetëm deklarimin e Lushtakut, apo Adem Grabovcit që nuk ka ‘bir nane’ që i largon nga partia vetëm ata që i kanë emëruar në pozita dhe këta kanë hyrë në këshillin drejtues të PDK-së janë njerëz që janë zgjedhur. Nëse Veseli do të zmbrapset nga kjo ide dhe ky vendim që e ka marrë, atëherë kjo do të nënkuptonte që thjesht reforma brenda partive dhe brenda PDK-së është një mision i po thuajse i pamundur. Sepse ata që kanë përfituar që një kohë të gjatë në forma të ndryshme dhe që sot ballafaqohen me procese gjyqësore janë ata që nuk po e pranon në asnjë formë heqjen e asaj fuqie”, thotë Musliu.
Ndërkaq, analisti politik Imer Mushkolaj thotë se fuqia e Kadri Veselit në PDK është vetëm tek ata njerëzit që s’kanë ndikim, pasi sipas tij, kur flitet për figura të rëndësishme i ka hasur sharra në gozhdë, pasi siç shprehet ai, ata njerëz nuk ia varin fort.
Mushkolaj për Veselin thotë se ka qenë njeri mistik që kishte fuqi nëntoke, duke aluduar se ishte shef i SHIK-ut, por siç konsideron analisti politik, i njëjti si kryetar i PDK-së nuk po e ka fuqinë e duhur.
“Fuqia e zotit Veseli është vetëm deri tek një ministër si Besim Beqaj, deri të një zëvendësministër si Agim Çeku, deri te një këshilltar i tij si Njazi Kryeziu dhe aty përfundon. Por, kur flitet për ato figura të rëndësishme të cilat Sami Lushtaku, e kontrollojnë gjithë Kosovën, ato 4, 5 apo 6 figura, aty i has sharra në gozhdë për shkak se po shihet se njerëzit e rëndësishëm si thotë një shprehje ‘nuk ia varin fort’ këtyre kërkesave të zotit Veseli për shkak se thonë se nuk na ka zgjedhur zoti Veseli por na kanë zgjedhur strukturat partiake, e kam fjalën këtu për zotin Grabovci, kam fjalën këtu për zotin Reçica, për zotin Haliti e kështu me radhë, figura që janë shtylla të PDK-së”, pohon Mushkolaj.
Ndryshe, këtë kërkesë të kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, e kanë kundërshtuar disa prej themeluesve të partisë, të cilët kanë kërkuar që veprime të tilla të merren vetëm në organet që i kanë zgjedhur brenda strukturës së PDK-së.
Ndërsa, kryetari i degës së PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku pati deklaruar se mandatin ia kanë dhënë anëtarët e Partisë Demokratike të Kosovës nga të gjitha nëndegët dhe vetëm ata kanë të drejtë të ta ndëshkojnë me votën e tyre për mos punë.
“Nga partia duhet të largohen e të përjashtohen me turpin më të madh 4-5 persona, të cilët e kanë bllokuar Kosovën e PDK-në dhe të cilët kontrollojnë çdo gjë në Kosovë, drejtësinë, biznesin, mediat dhe sferat tjera vitale të vendit tonë, gjë që për veprimtaritë e tyre të pista dhe rrjetet që kanë ndërtuar janë të mirinformuar edhe miqtë tanë ndërkombëtarë”, ka theksuar Lushtaku.