Fjalë Kyçe

Veseli: Gjykata Speciale do të jetë sfidë për Kosovën

Veseli: Gjykata Speciale do të jetë sfidë për Kosovën

Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe lideri i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, ka thënë se Kosova në vitin 2018, pavarësisht prej sfidave që ka pasur, ka shënuar përparim.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se po bëhen reforma të thella në sistemin e drejtësisë, shëndetësisë dhe në atë të ekonomisë.

“Nëse e marrim në tërësinë e saj, Kosova në të gjitha fushat ka shënuar përparim. Natyrisht, kemi edhe sfida të cilat duhet t’i adresojmë në mënyrë të duhur”, ka thënë Veseli.

Ai ka thënë se sfidë për Kosovën do të jetë Gjykata Speciale por, sipas tij, nga kjo sfidë Kosova do të dalë edhe më e fuqishme.

“Gjykata Speciale do të jetë një sfidë nga e cila Kosova do të dalë edhe më e fuqishme. Nga kjo sfidë edhe më e fuqishme do të dalë lufta e drejtë dhe e shenjtë e UÇK-së. Sfidat janë procese që nuk e ndalin Kosovën. Ne do ta vazhdojmë rrugëtimin tonë, do t’i përgjigjemi kësaj sfide. Ftoj të gjithë bashkëluftëtarët t’u përgjigjen thirrjeve të Dhomave të Specializuara. Sado e padrejtë kjo Gjykatë, sado sfiduese, ne duhet ta kemi çdoherë primar interesin kombëtar të shtetit tonë.”

Veseli e ka ftuar spektrin politik të flasë me një zë për fazën finale të dialogut me Serbinë.

Ai thotë se në këtë proces partitë duhet të përballen me Serbinë e jo me njëra-tjetrën.

“Të gjithë duhet ta dinë se si pozita ashtu edhe opozita kanë përgjegjësi institucionale kushtetuese ndaj qytetarëve dhe ndaj vendit. Secili duhet t’i marrë këto përgjegjësi. Ikja nga përgjegjësia është papërgjegjësi. Abuzimi me të vërtetën dhe manipulimi për qëllime elektorale mund t’i ndëshkojë partitë pikërisht për këtë fakt. Ne të gjithë duhet të marrim përgjegjësi. Me vetë faktin se në këtë proces përballë do ta kemi Serbinë, ne nuk duhet ta kemi përballë njëri-tjetrin. Spektri politik duhet të jetë unik kur bëhet fjalë për interesat kombëtare të Kosovës sepse çdo formë tjetër e veprimit është kundër interesit të Kosovës”.