Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli ka vazhduar me premtimet e tij megalomane se do ta luftojë korrupsionin kur të bëhet kryeministër i vendit, shkruan Gazeta Insajderi.
Sot në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, Veseli është takuar me disa të rinj të cilët janë larguar nga Kosova. Ai ju premtoi se si kryeministër i ardhshëm i Kosovës, prioritet kryesor do ta ketë luftën kundër korrupsionit dhe nepotizmit, për të krijuar shanse të barabarta për të gjithë qytetarët në punësim.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Veseli ju ka thënë të rinjve se do të krijohet fondi për autostradën e punësimit, që do t’i bindi këta të rinj e shumë të tjerë që të kthehen e shpërfaqin aftësitë dhe energjitë në Kosovë.
“Sot është Dita Ndërkombëtare e Rinisë dhe largimi i të rinjve është një ndër problemet më shqetësuese të Kosovës. Me këtë rast, vendosa të takoj disa të rinj që kanë emigruar kohëve të fundit e që gjenden për pushime në Kosovë. Me ta bisedova për shkaqet që i kanë detyruar të ikin dhe për çfarë duhet bërë që të nxisim kthimin e tyre”, ka shkruar Veseli.
“Argjendi më tregoi se e kishte lënë shkollën para tre vjetësh dhe ishte larguar në Itali sepse mendonte që pozitat e punës merren me të njohur e jo me meritë. Shqiprimi po ashtu më tregoi se ka ikur para tre muajsh në Gjermani pasi nuk pati mundësi ta mbante hapur biznesin e tij, ndërsa Redoni i diplomuar në marketing, është detyruar të shkoj në Austri. Është më se e qartë që për t’u ofruar atyre mundësi brenda Kosovës, duhet të luftojmë nepotizmin në punësimet publike si dhe korrupsionin që po pengon investimet dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Po ashtu, si kryeministër i ardhshëm do të kem prioritet krijimin e fondit për autostradën e punësimit, që do t’i bindi këta të rinj e shumë të tjerë që të kthehen e shpërfaqin aftësitë dhe energjitë në Kosovë”, ka shkruar Veseli.