Kryeparlamentari Kadri Veseli, i shoqëruar nga drejtori i Institutit të mjekësisë ligjore, Arsim Gërxhaliu kanë vizituar vendin ku po ruhen eksponatet e rrobave të të vrarëve dhe artefaktet e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Ai ka thënë se për krimet që kanë ndodhur ndaj shqiptarëve ka për t’u përgjigjur Serbia.
“Serbia duhet të distancohet nga krimet që kanë ndodhur dhe të dënohen kriminelët”, është shprehur Veseli.
“E kemi për obligim që këto rroba të fëmijëve të vrarë të mos i varrosim. Ato do të vendosen në Muzeun e Gjenocidit. Ne duam paqe, nuk duam konflikt, duam të ardhme, por nuk do ta lëmë askënd të na nguc.
S’ka qare pa ardhur drejtësia”.
“Do të ndodhë drejtësia dhe Tribunali Ndërkombëtar për gjenocidin serb”.
Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, ka thënë se deri në vitin 2004 kufomat e personave të vrarë në luftë janë varrosur bashkë me rroba, por pas këtij viti është marrë iniciativa që në rastet tjera ato të duhen në mënyrë që të dëshmohen krimet që kanë ndodhur në Kosovë.
Ai ka thënë se aktualisht ruhen 948 pako të personave të vrarë më gjësende dhe rroba.
Ndërsa Kuvendi i Kosovës do të mblidhet në një seancë plenare ku do të shqyrtohet Propozim-Rezoluta për gjenocidin serb në Kosovë.
Veç kësaj në mesin e pikave të rendit të ditës së seancës së sotme është edhe ajo për formimin e Komisionit Shtetëror për krijimin e Tribunalit Ndërkombëtar për krimet dhe gjenocidin serb kryer ndaj shqiptarëve.
Pikat e rendit të ditës:
1. Koha për deklarime jashtë rendit të ditës;
2. Koha për pyetje parlamentare;
3. Shqyrtimi i Propozim-Rezolutës për gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës të ish-regjimit shtetëror serb në Kosovë;
4. Formimi i Komisionit shtetëror për krijimin e Tribunalit për gjenocidin serb në Kosovë;
5. Vendimi për ndërtimin e Muzeut të Gjenocidit, tek ish-Fabrika e tjegullave;
6. Vendim për ndërtimin e Memorialit të dëbimit, tek Stacioni hekurudhor i Prishtinës;
7. Caktimi i Ditës së Gjenocidit.