Fjalë Kyçe

 Vetëm 26 mijë prej personave me aftësi të kufizuar mbështeten financiarisht

 Vetëm 26 mijë prej personave me aftësi të kufizuar mbështeten financiarisht

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim anëtarët e Shoqatës së Paraplegjikëve dhe e Paralizës së Fëmijëve të Kosovës, HANDIKOS.

Me këtë rast, Haradinaj tha se është një evidencë e punëve që janë kryer, por edhe të atyre që i presin, siç është zbatimi i Ligjit për statusin dhe të drejtat e personave Paraplegjikë dhe Tetraplegjikë, miratimi i koncept-dokumentit dhe hartimi i Ligjit gjithëpërfshirës për personat me aftësi të kufizuara, mbështetja dhe rehabilitimi i këtyre personave, duke thënë se Qeveria ka qenë e hapur ndaj gjitha kërkesave, me theks Ditës Ndërkombëtare të personave me aftësia të kufizuara.

“Kemi një listë te temave që duhet t’i kryejmë bashkë, udhëzime të tjera, akte nënligjore për pajisje ndihmëse dhe rehabilitim për statusin dhe të drejtat e personave paraplegjikë, zbatimi i ligjit për punësim, planit të veprimit, listës gjithëpërfshirëse, sigurimi i mbështetjes për organizatat, si dhe funksionalizimi i Këshillit Nacional për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara”, tha ai.

Më tej, kryeministri në detyrë tha se kushdo që vije në krye të Qeverisë së ardhshme, nuk duhet bërë dallime në këto tema, por t’i kushtojë vëmendjen e duhur kësaj kategorie, duke theksuar se është nder për të gjithë, fakti që ka filluar zbatimi për paraplegjikët, por edhe për personin që kujdeset për ta.

Drejtori i HANDIKOS-it, Afrim Maliqi, tha se duhet të jemi në hap me kohën, të konkurrojmë me shtetet e rajonit, në mënyrë që të drejtat e personave me aftësi të kufizuara të realizohen në masë sa më të mirë.

Ai tha se organizatat janë krijuar si reagim i gjendjes së vështirë, me të cilat personat me aftësi të kufizuar përballen. Sipas tij, janë 15 për qind e popullatës që janë të prekur me çfarëdo kufizimi.

“Në regjistrimin e popullatës 2011, kemi një evidencë që personat me aftësi të kufizuar, diku 73 ose 74 mijë persona janë të regjistruar, ndërsa edhe prej këtij numri diku 26 mijë përfitojnë disa mbështetje financiare, e që do të duhej të mbështeten edhe më tutje. Ne kemi edhe një strategji 10-vjeçare që i përkasin çështjes së personave me aftësi të kufizuar, aty është edhe plani i veprimit, e që vitin e ardhshëm ne mendojmë ta realizojmë, por sigurisht që gjitha këto gjëra që po përmendën këto janë obligim i shtetit, Qeverisë dhe linjave përkatëse që duhet të merren dhe t’i zbatojnë ato në raport me të drejtat e njeriut”, tha Maliqi, shkruan ksp.

Më tej, Maliqi tha se edhe ata kanë të drejtë të kenë qasje, punësim, edukim, të përfshihen dhe të jenë të barabartë me të gjithë qytetarët e vendit, dhe kjo mund të arrihet me një mobilizim jo vetëm të shoqërisë, por të të gjitha institucioneve, në mënyrë që kjo të arrihet.

“Jemi përjetësisht mirënjohës, në veçanti për fillimin e zbatimit të Ligjit për të drejtat e personave Paraplegjikë dhe Tetraplegjikë, i cili e ka ndryshuar jetën e këtyre personave, e ka ngritur mirëqenien e tyre, të cilët sot kanë një jetë më të dinjitetshme sesa kanë pasur para dy vjetëve”, tha drejtori i HANDIKOS-it.