Fjalë Kyçe

Veteranët kërcënojnë Qeverinë me protesta

Veteranët kërcënojnë Qeverinë me protesta

Pretendimet për rritje të pagës minimale pa i përfshirë rritjen e pensioneve të veteranëve ka alarmuar këta të fundit. Veteranët duke paralajmëruar protestë 48 orë pas marrjes së këtij vendimi, thonë se një vendim i tillë është shumë rrezik për stabilitetin e Qeverisë.

Ndërkaq, iniciativën e kryeparlamentarit Veseli për formim të një komisioni hetimor për veteranët e rrejshëm, e shohin si të parëndësishme dhe se nuk mund t’i besojnë një komisioni të tillë.

Kryetari i OVL UÇK-së, Hysni Gucati në një intervistë për KosovaPress thotë se pensionet e tyre duhet të rriten bashkë me pagën minimale dhe se ndryshimi i Ligjit të Veteranëve nuk vjen në shprehje.

“Nuk vjen në shprehje ajo që të bëhet ndryshimi i ligjit te veteranët e luftës, se atëherë ministri mundet të luaj me lojërat e veteranëve që nuk i ka hije. Është shumë rrezik për vet Qeverinë dhe për ministrin…unë po e paralajmëroj Qeverinë prej këtij vendi ku jam që brenda 48 orëve ne do të dalim në rrugë. Unë do t’i bëjë ftesë gjithë veteranëve të luftës që të dalim në rrugë në protestë për atë të drejt që mund të takoj neve”, thotë Gucati.

Për iniciativën e kryeparlamentarit Veseli që të formohet një komision hetimor parlamentar i cili do të hetojë e pastrojë listat e veteranëve të UÇK-së, Gucati shprehet se kjo mund të jetë ndërhyrje në drejtësi.

“Prej frikës gjithmonë po flas se nuk mund të ketë sukses edhe është duke ma marrë mendja që po përzihet në drejtësi. Tash ka filluar edhe prokuroria të hetoj rastet dhe të merret me to. Unë nuk e shohë të udhës që të jetë një komision parlamentar. Edhe pse nuk besoj në këtë komision, arsye që nuk besoj që do të formohet është për shkak se ka grupe parlamentare aty dhe duhet të votohet dhe në parlament nga gjitha grupet parlamentare”, thotë ai.

Në lidhje me numrin e saktë të veteranëve, ai tha se janë rreth 39 mijë që marrin pensione, ndërsa numri i saktë i tyre sillet rreth 20 mijë.

Sipas tij, rritja e listave është bërë për shkak të përfitimeve të votave nga njerëz të politikës.

“45 mijë ushtarë nuk kanë qenë, mbi 60 mijë kanë bërë aplikacione, rreth 39 marrin paga kjo është shumë reale, por 45 mijë ushtarë nuk kanë qenë…në shifra nuk guxoj të lëshohem, por rreth 20 mijë sillet a nuk është e vërtet që janë 45 mijë ushtarë”, shprehet Gucati.

Ndërkaq edhe këtë vit veteranët pritet të shkojnë në rehabilitim me financim të Qeverisë. Sipas Gucatit, ata kanë bërë kërkesë që rreth 1500 deri 1700 veteranë të shkojnë në deti.

Kryetari i OVL UÇK-së, Hysni Gucat mes tjerash shprehu kritika ndaj dy krerëve të institucioneve, presidentit Hashim Thaçi dhe kryeparlamentarit Kadri Veseli që në tubimin qendror të 20 vjetorit të çlirimit të Kosovës nuk e përmendën kontributin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për çlirim.