Fjalë Kyçe

“Veteranët mashtrues po e dëmtojnë UÇK-në”

“Veteranët mashtrues po e dëmtojnë UÇK-në”

Gjatë këtij muaji, Policia e Kosovës ka arrestuar disa persona të cilët dyshohen se kanë falsifikuar certifikata false për veteranët e rrejshëm.

Derisa hetimet po vazhdojnë, të njëjtit po mbahen në paraburim.

Nga ana tjetër, kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Luftëtarëve të UÇK-së Xhevdet Qeriqi thotë se secili që e shkelë ligjin duhet të vihet para institucioneve të drejtësisë, dhe të marrë dënimin e merituar.

“Po këto ditë e kam parë në media, ku është raportuar se disa persona kundërligjshëm kanë falsifikuar statusin e veteranit të UÇK-së, me çëllim të përfitimit të pensionit, të cilin e garanton ligji për veteranët e Luftës të UÇK-së. Natyrisht, mendoj se secili që e shkel ligjin duhet të  vihet para institucioneve të drejtësisë, dhe të marrë denimin në bazë të ligjeve në fuqi”, ka thënë Qeriqi në një bisedë për Indeksonline.

Qeriqi thotë se fryerja e listave ka ndodhur pas miratimit të ligjit për këtë kategori, dhe këtë e kanë shfrytëzuar persona të caktuar.

“Të gjithë jemi dëshmitar se listat e veteranëve janë fryer tej mase, krejt kjo ka ndodhur pas miratimit të ligjit për këto kategori, ligj ky i cili garanton pensione për veteranët luftëtar të cilët janë të papunë, e këtë e kanë shfrytëzuar persona të caktuar, që t’i përfshijn në këto lista edhe ata të cilët fare nuk kanë qenë pjesë e Luftës”, ka theksuar tutje ai.

Nga ana e tij, Qeriqi bënë thirrje që të merren masa seriozisht lidhur me këtë raste pasi që është dëmtuar imazhi i UÇK-së.

“Institucionet e drejtësisë duhet të merren më seriozisht me këto raste, për arsye se këta persona me çëllim të përfitimit personal, e kanë dëmuar imazhin e luftëtarit të UÇK-së, dhe në anën tjetër po dëmtohet edhe bugjeti i shtetit”, vlerëson ai.

Ndryshe, Prokuroria e Shtetit vazhdimisht deklarohet se janë në fazën e  mbledhjes së informative, ndërsa numri i atyre që përfitojnë pension si luftëtar nga shteti është mjaftë i lartë.