Fjalë Kyçe

Veteranët protestojnë pasi mbetën jashtë projektligjit për pagë minimale, para Kuvendit pritet të jenë njësi të shumta policore

Veteranët protestojnë pasi mbetën jashtë projektligjit për pagë minimale, para Kuvendit pritet të jenë njësi të shumta policore

Dje në Kuvendin e Kosovës është zhvilluar seanca e radhës parlamentare.

Por kjo seancë nuk nisi si çdo seancë tjetër. Deputetët e opozitës filluan të brohorasin “Marre”, në drejtim të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Arsyeja e kësaj brohoritje ishte pikërisht për shkak të hedhjes në votim të projektligjit për pagën minimale.

Por pavarësisht këtij kundërshtimi të opozitës, 68 deputetët e pranishëm mundësuan që ky projektligj të votohet në lexim të parë.

Nga 68 deputetë të pranishëm, vetëm gjashtë prej tyre abstenuan.

E disa nga deputetët e opozitës nuk qëndruan as në seancë, gjatë votimit të këtij projektligji.

Edhe pse gjithçka nisi në fillim si një debat, mbi çështjen e pagës minimale, brenda pak kohëve kjo edhe u zyrtarizua.

Por kundër votimit të këtij projektligji që nga fillimi ishin veteranë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

E nga ky projektligj janë përjashtuar pikërisht këta të fundit. Veteranët e UÇK-së nuk do të arrijnë të përfitojnë nga rritja e pagës minimale, në pensionet e tyre.

Me të votuar ky projektligj, nga ana e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë bërë të ditur se të enjten do të protestojnë para objektit të Kuvendit të Kosovës.
E në këtë teren të pranishëm do të jenë edhe shumë zyrtarë policorë.

Siç mëson lajmi.net në Kuvendin e Kosovës të enjten pritet të zbarkojnë forca të shtuara të Policisë së Kosovës, nga thuajse të gjitha njësitë.

Duke nisur nga patrullat, e deri tek njësitë elitare apo ato të Njësisë Speciale të Kosovës.

Ngjashëm situata ka qenë edhe në seancën e djeshme, kur në oborrin e Kuvendit të Kosovës ishin të pranishëm shumë zyrtarë policorë, por se për të enjten pritet që të ketë numër edhe më të madh të tyre.

Zyrtarët policorë pritet që të vendosen tek objekti i Kuvendit të Kosovës që të sigurohen që situata të jetë e qetë e të mos ketë eskalim të saj, duke u kujdesur për rendin dhe sigurinë publike në vend.

Duhet përkujtuar që në protestën e kaluar nga OVL-UÇK pati situatë mjaftë të tensionuar, e ku është përdorur edhe gaz lotsjellës.

Pas votimit të projektligjit për pagën minimale, kryeministri Albin Kurti zgjodhi që të vlerësojë lart këtë hap, por assesi të përmend veteranët.

“Lajm i mirë për qytetarët që sot Kuvendi i Republikës miratoi në lexim të parë të ligjin për rritjen e pagës minimale në 264 euro dhe lirimin nga tatimi i të ardhurave deri në pagën minimale. Mbi 100 mijë punëtorë të sektorit privat, përfitojnë rritje mbi 100%, respektivisht mbi 50% të pagës së tyre mujore, ndërkaq plotë 380 mijë punëtorë të sektorit privat dhe publikë përfitojnë prej lirimit nga tatimi i të ardhurave deri në shumën e pagës minimale. Përveç se po e rrisim pagën minimale për herë të parë pas 11 vitesh, po rrisim atë më shumë se çdoherë tjetër më parë. Ndërkaq pragun e shkallës tatimore po e zhvendosim nga 80 euro në 250 euro”, ka shkruar Kurti.

E për protestën e së enjtes, veteranët kanë vendosur që t’u ndihmojnë atyre që s’mund të vijnë vetë në Prishtinë. Kësisoj veteranët të cilët janë nga qytetet e tjera do të mund të vijnë edhe me autobusë të organizuar për të ardhur në kryeqytet.

Kjo është bërë e ditur nga kryetari i OVL-UÇK,Faton Klinaku.

“Ata që nuk mund të udhëtojnë vet, i lajmërohen degëve tona për udhëtim me autobus. Protestë gjithëpopullore para institucioneve (Kuvend e Qeveri) më 16 qershor 2022 ora 09:30”, ka shkruar ai.
E për t’i përkrahur veteranët në këtë protestë të pranishëm pritet të jenë edhe deputetë nga opozita.

Por në përkrahje të protestës së veteranëve doli edhe i pari i PSD-së, Dardan Molliqaj.

Ai tha se përkrah këtë protestë, duke theksuar se shumica qeverisës ka përjashtuar me përbuzje veteranët e UÇK-së.

E në protestën e kaluar të tyre i pranishëm ishte dhe vetë Molliqaj.

Reagime të ashpra pati dje në drejtim të deputetëve të VV-së, duke thënë se të njëjtit bashkëpunuan me Listën Serbe për të votuar këtë projektligj që dëmton veteranët.

Madje i pari i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se dje në Kuvend është kthyer Rrahman Morina, UDB-ja dhe serbët.

“Respekt për familjen Jashari e gjithë UÇK-në. Sot kemi parë një fitore të UDB dhe e përkrahur me Listën Serbe me votu një ligj që përjashtojnë ushtarët e UÇK-së nga paga minimale. Në parlament u rikthye Rrahman Morina, UDB-a. Do të vazhdojë këtë mospajtim”, ka thënë Haradinaj.

E ngjashëm reagoi edhe një nga deputetët e VV-së, që kundërshtoi këtë projektligj.

Deputeti Fatmir Humolli dje u largua nga salla e Kuvendit, në momentin kur është votuar ky projektligj. E pas kësaj ai tha se në këtë seancë është parë rezultati i koalicionit të Lëvizjes Vetëvendosje me Listën Serbe.

“U pa rezultati i koalicionit Vetëvendosje – Lista Serbe. Unë nuk jam anëtar i Vetëvendosjes. Kam qene kandidat i pavarur në listën e VV-së. Do të shoh çfarë do të ndodh në lexim të dytë. Do ta kundërshtojë fuqishëm”- tha Humolli.