Fjalë Kyçe

Veterani i UÇK-së paralajmëron protesta: S’mund t’i mbulojmë as nevojat elementare me 170 euro

Veterani i UÇK-së paralajmëron protesta: S’mund t’i mbulojmë as nevojat elementare me 170 euro

Pakënaqësia tek veteranët e luftës me qeverinë Kurti vetëm sa po shtohet.

Së fundmi, veteranët paralajmëruan edhe protesta shkaku që Qeveria Kurti nuk i ka përfshirë ata në rritjen e pagës minimale, që automatikisht do t’ua rriste atyre edhe pensionet, të cilat i kanë burim të vetëm të të ardhurave, shkruan lajmi.net.

Njëri nga veteranët që ka shprehur pakënaqësinë e tij është edhe Faik Zogaj nga Mlleqani i Malishevës, i cili edhe e kishte votuar VV-në në zgjedhjet e fundit parlamentare.

Ai për lajmi.net thotë se është e pamundur të jetohet me 170 euro që marrin veteranët, duke parë rritjen e çmimeve të artikujve në vend.

“Një litër vaj ka arritë deri në tri euro, e veterani mbetet me 170 euro sa që as nevojat elemantare personale s’po mund t’i mbulojmë”, thotë ai për lajmi.net.

Tutje, Zogaj thotë se Kurti ka ardhur me premtime të mëdha sipas tij në pushtet, mirëpo që në horizont duket se nuk do t’i përmbushë.

Ai përmend edhe premtimet për vende pune dhe për pastrim të listave të veteranëve.

“Na premtoi që do t’i pastrojë listat, na premtoi vende pune. Kështu që ne s’do ta votojmë asnjë parti”, thotë Zogaj për lajmi.net.

Ndryshe, nga Organizata e Veteranëve të Luftës kanë thënë se Qeveria do të përballet me protesta të ashpra nëse atyre nuk u rriten pensionet bashkë me pagën minimale.