Fjalë Kyçe

Vetëvendosja do vetëm zgjedhje, nuk do të marrë pjesë në asnjë takim të thirrur

Vetëvendosja do vetëm zgjedhje, nuk do të marrë pjesë në asnjë takim të thirrur

Lëvizja Vetëvendosje ka bërë thirrje që të caktohet sa më shpejt data e zgjedhje të reja dhe ka bërë të ditur se nuk do të merr pjesë në asnjë mbledhje ku do të diskutohet mundësia e mandatarit të radhës.
Në të kundërtën kjo parti opozitare ka theksuar se javën e ardhshme do të thërrasin seancë të jashtëzakonshme për të shpërbërë Kuvendin e Kosovës, teksa i bën me dije kryeministrit në dorëheqje Ramush Haradinaj se ai nuk mund të merr asnjë vendim madhor, por formalisht deri në zgjedhje të reja të kryejë funksionin e tij.

Shefi i deputetëve të VV-së, Glauk Konjufca përmes një konference për media ka kërkuar që sa më shpejt të caktohet data e zgjedhjeve të reja.
Konjufca u shpreh optimist për një koalicion parazgjedhor me LDK-në dhe u shpreh kategorik kundër një Qeverie teknike, pavarësisht presionit ndërkombëtar.

“Nëse këtë javë nuk bëhet e ditur caktimi i datës së zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje nuk merr pjesë në ato mbledhje ku do të diskutohet mandatari. Nëse luhet kjo lojë nga ana e presidentit ne në javën e ardhshme do të thërrasim seancë të jashtëzakonshme për të shpërbërë Kuvendin”, tha ai, transmeton ksp.
Ndërkaq, nënkryetari i VV-së, Besnik Bislimi tha se Qeveria në dorëheqje nuk duhet të merr asnjë vendim madhor që do të ndikonte në qeverinë e ardhshme.

“I bëj me dije qeverisë që mos të futet në asnjë aventurë që do të bënte Qeverinë e ardhshme ta anulojë qysh në ditën e parë. Kjo përfshin ndërprerjen e çfarëdo aktiviteti për privatizim të Telekomit apo futjes në borxhe, si dhe ndërprerje të aktiviteteve për autostradën e Dukagjinit”, tha Bislimi.