Fjalë Kyçe

Vetëvendosja: Ende asnjë reagim nga policia e prokuroria për grafitet kërcënuese

Vetëvendosja: Ende asnjë reagim nga policia e prokuroria për grafitet kërcënuese

Lëvizja Vetëvendosje sot mbajti konferencë për media ku ka prezantuar një grafit që, siç kanë thënë zyrtarë të saj, ndërlidhet me vrasjen e Astrit Deharit.

Deputetja e kësaj partie, Albulena Haxhiu ka thënë se edhe 4 orë pas kësaj konferencë s’ka pasur asnjë reagim e as përgjigje nga policia e prokuroria.

“Kanë kaluar më shumë se 4 orë pas konferencës së Lëvizjes VETËVENDOSJE!, dhe ende nuk ka asnjë përgjigje zyrtare nga policia dhe prokuroria për grafitet kërcënuese të shfaqura këto ditë në Prishtinë dhe jo vetëm! Heshtja është e papranueshme. Institucionet e sigurisë dhe drejtësisë duhet të veprojnë menjëherë”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Ndërkaq, edhe zëdhënësja e kësaj partie, Tinka Kurti, ka thënë se simboli i shishes kërcënuese është gati në çdo qosh të qytetit, madje edhe në Fushë – Kosovë.

“Pse ajo shishe e realizuar në formë sadiste? Pse tash? Pse anglisht? Pse fjala armë? A hapi rast Policia? A distancohet pushteti prej atyre grafiteve? Çka është ky komunikim kriminal që shpërfytyron artin e nxjerr në pah poshtërësitë më të ulëta? E kanë gabim. Astritin nuk mund të na e kujtojnë sepse nuk e kemi harruar. As vrasjen e tij sepse nuk e kemi falur”, ka thënë ajo.

Reagime të shumta ka edhe nga shumë zyrtarë e aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje rreth këtij grafiti.