Fjalë Kyçe

Vetëvendosje të dielën po i mban zgjedhjet e brendshme

Vetëvendosje të dielën po i mban zgjedhjet e brendshme

Lëvizja Vetëvendosje po mban zgjedhjet e brendshme partiake të dielën e 25 shtatorit.

Votimi ka filluar nga ora 10:00 dhe pritet të përfundojë në orën 19:00.

Të martën është mbajtur tubimi ku është shpalosur platforma e kandidatit të vetëm për kryetar, Albin Kurti, I cili kërkoi votëbesim edhe për katër vjet të tjera. Ai shplaosi 10 pikat themelore të platformës së tij programore.

“Rritja e numrit të anëtarëve të moshave të reja, rritja e anëtarësisë së vajzave dhe grave, forcimi i shkollës politike, promovimi i organizimit sindikal në sektorin privat, përgatitja e burimeve njerëzore dhe programore për zgjedhjet lokale 2025, përgatitja e platformës politike për mandatin e dytë qeverisës, rritja e rrjetit të qendrave të Lëvizjes Vetëvendosje për mërgatën, angazhimi i studentëve dhe profesionistëve në organizatën politike të Lëvizjes, dhe bashkëpunimi jashtë shtetit dhe brenda kombit tonë”, ka thënë Kurti.

Kandidaturë të martën kanë shpallur edhe Albulena Haxhiu dhe Behar Jashari.

Haxhiu ka kandiduar për drejtim të organit Lëvizja e Grave për Vetëvendosje, ku shpalosi platformën e saj me tri pika kryesore: Emancipimi gjinor, rritja e pjesëmarrjes së grave aktiviste në organizatë dhe ndalimin e seksizmit.

Ndërsa Jashari, i cili kandidoi për Lëvizjen e Rinisë për Vetëvendosje, ka treguar që disa nga qëllimet e kësaj organizate janë rritja dhe shtrirja e LVV-së, emancipimi politik, puna vullnetare, socializimi dhe sporti, anëtarësimi në organizata ndërkombëtare të orientimit social demokrat.