Fjalë Kyçe

Viktima në liqenin e Livoqit dyshohet të ketë kryer vetëvrasje

Viktima në liqenin e Livoqit dyshohet të ketë kryer vetëvrasje

Prokuroria Themelore në Gjilan dyshon se qytetari nga komuna e Gjilanit, Ekrem Shkodra (52 vjeçar) i cili është gjetur i pajetë në liqenin e Livoqit të ketë kryer vetëvrasje.

Prokuroria në Gjilan, i kanë thënë Kohës Ditore se nuk kanë arritur të zbulojnë motivin e vetëvrasjes ngase është në fazën fillestare të hetimeve.

Trupi i pajetë i të ndjerit është nxjerr nga liqeni i Livoqit nga ekipet e kërkim shpëtimit sot. Ishin familjarët të cilët ishin vënë në kërkim të ndjerit dhe të cilët më pas kishin lajmëruar edhe policinë.

Rasti kishte ndodhur të shtunën. Prokurori i çështjes, Shaban Spahiu deklaron se ata janë në fazën fillestare të hetimeve mirëpo dyshojnë në pistë e vetëvrasjes.

“Është nxjerr viktima sot nga ekipet dhe kanë arritur të thyejnë akullin diku 30 metra brenda liqenit. E kanë thyer akullin dhe e kanë nxjerrë dhe për momentin e kemi dërguar për obduksion. Familja nuk ka informata e kanë kërkuar në pjesën pyjor në Stanishor dhe kur nuk e kanë gjetur aty kur kanë ardhur rrugës e kanë parë veturën e ndalur për skaj liqenit. Dhe pastaj kanë thirrur policia sepse kanë dyshuar se mos bëhet fjala për ndonjë rrëmbim. Mirëpo nga informatat që kemi as familja dhe as ndjeri nuk kanë pasur raporte të këqija me askënd dhe kanë pasur raporte të mira familjare. Më shumë dyshojmë se ka kryer vetëvrasje mirëpo nuk dihet shumë për motivin. Po ai ka punuar në treg sipas informatave që kemi ka shitë pemë e pjata” ka thënë ai.

Kurse familjarët e të ndjerit kanë hapur të pame në lagjen “Dardania” në qytetin e Gjilanit.

Ata nuk kanë dashur të prononcohen për rastin mirëpo kanë dhënë informata tjera që ka të bëjnë me të ndjerin.

“Nuk kemi njohuri se çka ka ndodh. Ai nuk ka pasur probleme me tjerët por tash edhe ne si familje nuk po kemi informata. Ka punu në Tregun e Gjelbërt dhe është baba i tre fëmijëve” ka thënë njëri prej familjarëve, për Kohën Ditore.