Në lakuriqët që jetojnë në pjesët jugore dhe jugperëndimore të Kinës strehohen lloje të tjera të koronavirusit që tashmë kanë kapacitet për të kaluar te njeriu, ka paralajmëruar një shkencëtare e njohur kineze.
Dr.Shi Zhengli nga Instituti i Wuhanit për Virologji tha se këto viruse, përfshirë viruset e ngjashme me SARS-CoV-2, i cili e shkakton sëmundjen COVID-19, ka gjasë që janë duke qarkulluar në natyrë edhe jashtë Kinës.
“Ne nuk duhet t’i kërkojmë ato vetëm në Kinë, por gjithashtu edhe në shtetet e Azisë Jugore”, tha shkencëtarja që i është vënë nofka “gruaja e lakuriqëve”, sepse grupi i saj hulumtues merret me studimin e koronaviruseve te lakuriqët.
Komentet e saj u bënë gjatë një konference të organizuar nga akademinikët francezë të mjekësisë dhe veterinarisë, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.
Dy ekipe ndërkombëtare – njëra e koordinuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe tjetra nga revista mjekësore “Lancet – po përgatitet për ta hetuar prejardhjen e pandemisë një vit pasi ajo filloi zyrtarisht.
Këto përpjekje janë politizuar shumë. Shtetet e Bashkuara dhe Kina e akuzojnë njëra-tjetrën për prejardhjen e pandemisë në kohën kur dy fuqitë botërore po zhvillojnë edhe luftë tregtare.
Laboratori i shkencëtares Zhengli më herët gjatë këtij viti është akuzuar se ka qenë burim i rrjedhjes aksidentale të virusit. Sidoqfotë, për këto akuza nuk ka ende dëshmi dhe shkencëtarja kineze i ka mohuar kategorikisht ato.
Ajo nuk këshilloi që Kina të largohet nga lista e hetimeve, por vetëm që hulumtimet të shkojnë përtej Kinës.