Fjalë Kyçe

Viti 2024 Kosovën e gjen pa mina

Viti 2024 Kosovën e gjen pa mina

Kosova deri në vitin 2024 do të jetë e pastruar nga minat dhe mjetet shpërthyese që kanë mbetur që prej përfundimit të luftës së fundit.

Kështu u tha me rastin e publikimit të Planit Strategjik të Deminmit të Ministrisë së Mbrojtjes për 2019-2024, në Ditën ndërkombëtare që i kushtohet kësaj çështje. Ndërsa u bë e ditur se prej vitit 1999 janë pastruar mbi 52 milionë metra katrorë nga minat në gjithë territorin e Kosovës.

Zëvendësministri i Mbrojtjes, Agim Çeku u shpreh se çështja e deminimit është shumë e rëndësishme dhe se ky projekt në bashkëpunim me Qendrën e Deminimit në Gjenevë përmes planit strategjik deri në vitin 2024 do t’i largojnë gjitha minat në Kosovë.

Shefi i Qendrës për Deminim, Ahmet Sallova e paraqiti planin strategjik për eliminimin e minave dhe mjeteve tjera shpërthyese, i cili do të përfundojë deri në vitin 2024. Mes tjerash, ai bëri të ditur se prej vitin 1999 janë pastruar 52 milionë metra katrorë nga minat.

Nga Qendra Kombëtare për Deminim në Gjeneva, Asa Massleberg tha se procesi i planifikimit strategjik 2019-2024 mundëson një lehtësim të operacioneve që Kosova t’i arrijë caqet e pastrimit nga minat dhe mjetet tjera shpërthyese.

Ndryshe prej përfundimit të luftës, 117 persona kanë vdekur, pikërisht për shkak të shpërthimit të minave dhe mjeteve tjera shpërthyese në Kosovë.