Fjalë Kyçe

Vitia s’tregon a do të kandidojë për kryetar të Prishtinës

Vitia s’tregon a do të kandidojë për kryetar të Prishtinës

Emri i Arben Vitisë ka qenë më i lakuari për kandidaturën për kryetar të Prishtinë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje. I ftuar në emisionin ‘’DESKU’’ të KTV-së, ai megjithatë nuk tregoi nëse do të jetë kandidati i VV-së për Prishtinën.

Vitia tha se fokusi i tij në këto momente është Ministria e Shëndetësisë, ndërsa kandidati do të zgjidhet përmes strukturave të VV-së, meqë sipas tij, është subjekt demokratike.

“I gjithë fokusi im dhe i ekipit tim është Ministria e Shëndetësisë. Shëndeti i qytetarëve, procesi i vaksinimit të shkojë mirë, këto janë të rëndësishme në javët në vazhdim. Çdo largim i fokusit nga Ministria në këto momente, do ta humbte përkushtimin në këtë situatë jo të lehtë. Si çdo herë, Lëvizja Vetëvendosje si subjekt demokratik do të mbajë mbledhjet e brendshme dhe do t’i shpalos kandidatët për secilën komunë. Deri këtu kemi mbërritur në këtë mënyrë. Është duke u punuar intesivisht për projektin për Prishtinën qysh kohë më parë. Kur kalojnë të gjitha këto faza, ne do t’i bëjmë publike emrat”, ka thënë Vitia.

Sa i përket kandidaturave për Prishtinën, tre parti kanë bërë publike emrat. Lidhja Demokratike e Kosovës do të kandidojë me arkitektin Përparim Rama, ndërkohë Daut Haradinaj do të jetë kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kurse Selim Pacolli do të jetë nga Aleanca Kosova e Re.