Vincenzo Grasso ka komentuar aksionin e madh të Policisë së Kosovës në veri por edhe jug të Kosovës.
Zëdhënësi i KFOR-it, Vincenzo Grasso ka komentuar aksionin e madh të Policisë së Kosovës në veri por edhe jug të Kosovës.
“Operacioni i policisë së Kosovës po zhvillohet në tërë Kosovën, jo vetëm në veri, dhe nuk është i drejtuar vetëm tek serbët, por ndaj personave të dyshuar për korrupsion dhe krim”, deklaroi Grasso për “Tanjug”.
“Ne aktualisht e përcjellim situatën, jemi në kontakt me zyrtarët nga Prishtina, por të hapura i kemi komunikimet edhe me Serbinë”, shtoi ai.
Sipas tij, bëhet fjalë për një aksion të ngjashëm me ato nga e kaluara, andaj KFOR-i vetëm “përcjell situatën”.
Ai komentoi edhe qëndrimet e zyrtarëve serbë se KFOR-i duhet të veprojë kur bëhet fjalë për aksione të njësive speciale të policisë së Kosovës.
“Rreth kësaj është diskutuar edhe më herët, ne nuk ndërhyjmë në aksione të policisë derisa nuk na kërkojnë të intervenojmë”, u shpreh ai.