Fjalë Kyçe

Vjen vala më e re e nxehtësisë në Kosovë

Vjen vala më e re e nxehtësisë në Kosovë

Pas dy valëve të fuqishme dhe të hershme të nxehtësisë afrikane në Kosovë dhe rajon, radhën e ka vala e tretë e nxehtësisë e cila nuk pritet të jetë më e fuqishme se dy të parat. Pas shiut të sotshëm që na flladiti sadopak, radhën e ka dielli dhe disa ditë me temperatura mbi 30 gradë Celsius. Ende sot ka mundësi për ndonjë rrebesh lokal shiu me vetëtima dhe bubullimë, ndërsa vala e nxehtësisë fillon nga nesër në rajon.

Temperaturat shënojnë rritje sidomos nga e mërkura duke arritur dhe tejkaluar 30 gradë Celsius, madje në Shqipëri ato maksimalet pritet të luhatën nga 34 deri në 38 gradë Celsius. Në Kosovë sipas të gjitha gjasave kjo valë nxehtësie do të jetë pak më e dobët se dy të kaluarat, por prapëseprapë nuk duhet nënvlerësuar. Temperaturat nuk do të duhej të shkonin mbi 35 gradë Celsius sipas parashikimeve aktuale në Kosovë.

Vala e nxehtësisë do të shtrihet nga Spanja, Franca jugore, Italia, Ballkani, Evropa lindore e deri në Rusinë jugore, ndërsa shumë shpejt pritet freskim i motit në Itali dhe në Evropë në përgjithësi me përjashtim të Spanjës, por i nxehti mbetet ende në Ballkan dhe Evropen juglindore dhe lindore.

Sipas ecurive aktuale rrebeshe të fuqishme te ne nuk priten deri të shtunën.