Fjalë Kyçe

Vjosa Osmani thotë se Thaçi mund të na vendosë para aktit të kryer me Serbinë

Vjosa Osmani thotë se Thaçi mund të na vendosë para aktit të kryer me Serbinë

Lidhja Demokratike e Kosovës, ka botuar një sërë dokumentesh, që dëshmojnë se ish-presidenti Ibrahim Rugova, ishte betuar se do ta mbronte territorin e Kosovës.

Ditë më parë, presidenti aktual Hashim Thaçi, tha se ishte inspiruar nga Rugova në idenë për korrigjim kufijsh.

Në intervistën e javës në portalin Koha.net, deputetja e kësaj partie Vjosa Osmani, këto deklarata të Thaçit i ka quajtur gënjeshtra.

“Nuk është hera e parë që presidenti Thaçi përmend diçka të tillë, por kjo është një gënjeshtër e kulluar që mund të faktohet shumë lehtë. LDK-ja ka botuar një sërë dokumentesh që e dëshmojnë pikërisht të kundërtën. E kam botuar betimin që presidenti Ibrahim Rugova e ka dhënë në vitin 2004, kur si president është betuar që do ta mbrojë integritetin territorial të Kosovës. Kjo është thënë nga Rugova qysh në fillim të viteve të 90-ta, që në radhë të parë ka qartësuar se është ide e vjetër serbe, ka vazhduar më pas me përkrahjen ruse por që Kosova, vazhdimisht e ka refuzuar”, tha ajo.

Osmani shtoi se presidenti Thaçi, nuk mund të gjejë mbështetje tek idetë që rrënojnë shtetësinë e Kosovës, tek arkitekti i shtetësisë së Kosovës, që ishte presidenti Ibrahim Rugova.

Sikur të pyetej presidenti Thaçi, thotë Osmani, deri tani ai do ta nënshkruante një marrëveshje me Serbinë.

“Por skena politike në Kosovë, në veçanti LDK-ja, ia kanë bërë të qartë gjithë botës se planet që kanë për qëllim copëtimin e Kosovës, që janë plane ruso-serbe, jo vetëm që shkatërrojnë shtetësinë tonë dhe destabilizojnë rajonin, do të kenë implikime edhe përtej rajonit. Natyrisht që Rusia e përkrah një plan të tillë, sepse përveç që do të rritej ndikimi rus, do ta përdorë këtë argument për të arsyetuar aneksimet ilegale të territoreve në Ukrainë, Gjeorgji e vende tjera”, tha ai.

Deputetja Osmani, tha se duket një insistim mes presidentit të Kosovës dhe atij të Serbisë, që këtë vit të arrihet një marrëveshje, sepse sipas saj, ajo marrëveshje do të ishte rezultat i shumë negociatave të fshehura që kanë ndodhur për më shumë se një vit e gjysmë, por një rezultat i tillë nuk e ka përkrahjen e skenës politike në Kosovë, as popullit e as të qeverisë.

“Tani nuk është moment i përshtatshëm për Republikën e Kosovës që të nxitojë për një marrëveshje të keqe, më mirë të mos ketë marrëveshje fare sesa marrëveshje të dëmshme që hedh në ujë dhe dëmton të gjitha të arriturat që i kemi pasur deri tani”, tha Osmani.

Por deputetja e LDK-së, tha se megjithatë, duhet të jenë të gjithë të gatshëm duke pasur parasysh çka ka ndodhur në të kaluarën, që presidenti Hashim Thaçi, “mund të na vendosë thjesht para aktit të kryer dhe ta sjellë një marrëveshje në Kuvend, dhe siç e ka zakon, të tentojë ta hedhë fajin tek deputetët”.

Këtë të hënë, në mbledhjen e Komisionit për Punë të Jashtme, që e drejton Osmani, tha se do të trajtohet edhe platforma për dialogun, e cila shumë shpejt pritet të votohet nga deputetët, e që LDK-ja, nuk do ta votojë.

“Në parim, problemin kryesor e kemi me Ekipin që veten e quan Delegacion shtetëror, por siç thuhet edhe në letrën e shkruar nga Federica Mogherini e Johannes Hahn, ky është vetëm një ekip mbështetës i Hashim Thaçit. Ky ekip nuk ka legjitimitet prej 2/3 në Kuvendin e Kosovës dhe është i papranueshëm. Nëse nuk e pranojmë këtë ekip si të tillë, do të ishte absurde t’i pranonim dokumentet që i prodhojnë. Ne si LDK kërkojmë që dialogu të vazhdojë mbi parimin shtet me shtet e jo dialog mes Prishtinës e Beogradit ku trajtimi i pabarabartë në raport me Kosovën ka qenë vazhdimisht. Jo një dialog ku Kosova implementon mbi 90 për qind të marrëveshjeve e Serbia jo. Kërkojmë një dialog ku jemi të barabartë dhe synimi themelor është që njohja reciproke të ndodhë në kufijtë aktual”, tha ajo.

Kur ka folur për çështjen e taksës, dhe përplasjen që taksa ka shkaktuar mes partnerëve në koalicionin qeverisës, Osmani tha se një situatë e tillë ka qenë e parashikueshme, duke pasur parasysh me çfarë joserioziteti është vënë kjo masë.

Osmani tha se pas dështimit në Interpol, me qëllim që të mbulohen dështimet e qeverisë aktuale, u vendos taksa, siç e ka quajtur ajo vendim euforik dhe pa analizë.

Ajo ka thënë se LDK-ja mbështet masat e reciprocitetit në raport me Serbinë, por për vendime të tilla të cilat kanë implikime edhe në raport me miqtë e Kosovës, duhet unifikim nga të gjitha partitë.

Deputetja e LDK-së, ka pohuar se me këmbënguljen e kryeministrit që të mbahet taksa, po rrezikohen raportet me SHBA-në.

“Kryeministri e ka obligim që jo vetëm ta mbajë tarifën ashtu siç ka premtuar deri në njohje nga Serbia, por në të njëjtën kohë mos të lejojë të bëhet një dëm edhe më i madh për Kosovën. Ta mbajë edhe taksën edhe miqësinë me SHBA-në”, tha ai.

Osmani, ka propozuar se kryeministri duhet të ulet bashkë me SHBA-në dhe të hartojnë një pako të masave të cilat kërkohen nga Serbia dhe të cilat në fund rezultojnë me njohje, si lloj përgatitje për pezullim gradual të taksës.

Deputetja Osmani ka thënë se përplasjet mes partnerëve në koalicionin qeverisës, po dëmtojnë shumë çështje në Kosovë. Ka thënë se zgjedhjet e parakohshme mund të ndodhin, mirëpo mund të jetë çështje muajsh.

“Në një situatë si kjo kur kemi një koalicion që s’kanë asnjë pikë besimi mes njëri-tjetrit, është normale që mos të ketë jetëgjatësi kjo qeveri”, tha ajo.

Kushtet e LDK-së për të hyrë në një qeveri gjithëpërfshirëse

Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, ka folur edhe për idenë për një qeveri gjithëpërfshirëse.

“Në kohën kur kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, e ka përmendur këtë ide për qeveri gjithëpërfshirëse, e ka përmendur vetëm si një alternativë nëse nuk ka zgjedhje. Ne si LDK akoma vazhdojmë të insistojmë se zgjedhja e vetme e cila na nxjerr nga ky qorrsokak në aspektin e krizës institucionale janë zgjedhjet që do të prodhonin një qeveri të fuqishme jo vetëm në numra por edhe në aspektin e legjitimitetit demokratik e cila përfaqëson Kosovën në Bruksel që automatikisht e eliminon Thaçin i cili në mënyrë kundërkushtetuese po shkon atje”, ka thënë Osmani.

Sipas saj, kryetari Mustafa ka thënë se nëse s’realizohen zgjedhjet, LDK-ja është e hapur për të diskutuar idenë e një qeverie të të gjithëve.

“Kjo ide për qeveri gjithëpërfshirëse, ka qenë me kusht që të hynë të gjitha partitë, pa asnjë përjashtim, dhe e dyta, që të ketë një afat kalimtar vetëm për të përfunduar çështjen e dialogut por me një unitet qind për qind”, tha Osmani.

Ka folur edhe për opozitën. Me Vetëvendosjen thotë se kohë e fundit i kanë rritur bashkëpunimet, por se me PSD-në, ka më pak bashkëpunim.

“PSD-ja jo vetëm që është pjesë e dialogut, por ka votuar edhe ligjet më bazike që e mbajnë një qeveri në pushtet. Në aspektin e votës, nuk kanë dallim me deputetët në pushtet. Është faktuar se me vota ata e përkrahin qeverinë e ne jo”, tha ajo.