Fjalë Kyçe

“Vlojnë” qentë endacak në Pejë, Komuna: Nuk e kemi ne në duar

“Vlojnë” qentë endacak në Pejë, Komuna: Nuk e kemi ne në duar

Problemi me qentë endacak po bëhet çdo ditë e më serioz.

Ndër komunat që kanë theksuar këtë problem është edhe Peja.

Në fotografitë më poshtë shihen një mori e qenve endacak, të cilët edhe kanë sulmuar qytetarët pranë Universitetit Publik “Haxhi Zeka”.

Indeksonline ka kontaktuar Komunën e Pejës për të marrë një përgjigje lidhur me këtë problem.

Fatmir Asllani, nënkryetar i kësaj Komune, ka bërë të ditur se ka kohë që kontrollin mbi qentë endacak nuk e ka komuna por Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë. Ai madje ka thënë se në këtë drejtim nuk është bërë shumë, por që Komuna nuk e ka në dorë as pastrimin dhe menaxhimin e qenve endacak, e as fondet që adresohen për të rregulluar problemin me ta.

“Që tri vjet, ndoshta dhe 4, jemi marrë me ta (qentë endacak) në bashkëpunim me organizata zvicerrane dhe me disa fonde jemi mundu me i menaxhu. Mirëpo, prej që e ka marrë Qeveria vendimin që më kalu në kuadër të AVUK-ut, kemi bo një riorganizim për marrjen dhe pastrimin e tyre. Atëherë kemi heq dorë sepse është e vështirë që Komuna më u marrë në mënyrë permanente, ka kosto të madhe”, ka thënë Asllani.

Ai gjithashtu ka shtuar se qentë endacak kërkojnë një trajtim më të veçantë, që nuk mund të bëhet një herë në vit, por në vazhdimësi, aq sa është e nevojshme.

Asllani thotë se kalimi në nivel qendror i kësaj çështjeje nuk është bërë vetëm nga ana e Komunës së Pejës por nga të gjitha Komunat e tjera.

“Jemi në pritje të ndonjë donacioni nga ndonjë organizatë ndërkombëtare ose joqeveritare, që kanë interesim me u marrë me këtë, ndonëse edhe këto po janë me periudha të caktuara kohorë, dy a tre muaj”, ka shtuar ai.

Kjo nuk është hera e parë që qentë endacakë kanë shkaktuar telashe për banorët e Komunës së Pejës.

Madje, para 3 vitesh, një qytetare kishte paditur Komunën e Pejës pikërisht për shkak se ishte sulmuar nga qentë endacak.