Pa nënkalim po rrezikohet jeta e fëmijëve, Komuna ia hedh fajin Ministrisë së Infrastrukturës.
Gjendet vetëm 15 km larg kryeqendrës së Kosovës. Por, fshati Vranidoll i Prishtinës po përballet me shumë telashe, kryesisht në infrastrukturë.
Jeta e fëmijëve të këtij fshati ka vite që rrezikohet gjatë rrugës që e bëjnë ata çdo ditë për në shkollë.
Fatkeqësisë në këtë rrugë nuk i kanë shpëtuar dy vajza, njëra prej të cilave është në karrocë dhe nuk lëviz fare.
Përfaqësuesi i Vranidollit, Behgjet Reçica, thotë se kanë kërkuar të ndërtohet një nënkalim apo mbikalim në rrugën magjistrale që lidh Prishtinën me Podujevën.
Mungesa e emrave të rrugëve është një problem tjetër.
Aspak më mirë nuk janë as disa prej shtyllave elektrike të këtij fshati. Nga ato, po ashtu rrezikohen banorët.
Banorët e fshatit po ankohen edhe se nuk po mund t’i shfrytëzojnë më se 2 hektar tokë që është e ndarë për varreza, për shkak se nuk ka rregullim dhe rrethim të hapësirës.
E nëse shkon më në thellësi të fshatit, atëherë do të përballesh me diçka tjetër – mungesën e ujit.
Por, megjithatë është një kohë në të cilën të gjithë banorët kanë shpresë. Në kohë të zgjedhjeve, kur iu premtohet zgjidhje.
Për të gjitha këto probleme, përfaqësuesi i fshatit thotë të ketë drejtuar kërkesa e peticione në Komunë.
E Komuna e Prishtinës, në një përgjigje me e-mail për T7, shfajësohet për problemin në rrugën magjistrale, duke treguar se është përgjegjësi e Ministrisë së Infrastrukturës.
Ndërsa, për rrjedhën e kanalizimit thonë të kenë filluar procedurat e zgjidhjes së problemit.
E, për shqetësimet me ujë, dhe rregullim e rrethim të varrezave thotë se do t’i shqyrtojnë kërkesat.