Fjalë Kyçe

Vrasja në Ferizaj: “Buta” nuk u largua nga Kosova, policia ende s’e ka ftuar për intervistim

Vrasja në Ferizaj: “Buta” nuk u largua nga Kosova, policia ende s’e ka ftuar për intervistim

Qëndrim Januzit, vëllait të reperit nga Ferizaj, Betim Januzi i njohur si Buta, tashmë i është caktuar masa e paraburgimit prej 30-ditësh nga Gjykata Themelore në Ferizaj për vrasjen e Gazmend Hysenit, i njohur me nofkën “Strella”.

E sot në media është raportuar se edhe vëllai i të dyshuarit për vrasjen në fjalë, reperi Buta është ftuar për intervistim nga Policia e Kosovës.

Në një prononcim për lajmi.net, avokati i Qëndrim Januzit, Fitim Shabani e ka mohuar një lajm të tillë.

“Unë më herët kam deklaruar se nuk jam i sigurtë nëse vëllai i të dyshuarit është ftuar në polici për intervistim, por tashmë e kam konfirmuar se nuk është ftuar”, ka thënë Shabani.

Tutje, ai ka folur edhe për raportimet se reperi Buta është larguar nga Kosova pas vrasjes së Gazmend Hysenit nga Qëndrim Januzi, por edhe kjo është mohuar nga avokati i të dyshuarit.

“Jo, jo as ajo nuk është e vërtetë”, ka përfunduar avokati.

Kujtojmë se dje në rrjete sociale ka reaguar edhe vetë reperi Buta, i cili ka falënderuar fansat për mesazhet mbështetëse pas rastit ku vëllai i tij dyshohet se ka vrarë tashmë të ndjerin Gazmend Hyseni, ndërsa reperi ka kritikuar mediat se po prodhojnë lajme të rrejshme “për dy klika më shumë”.