Fjalë Kyçe

Vrasja në tentativë në Ferizaj, arrestohet edhe i dyshuari i dytë

Vrasja në tentativë në Ferizaj, arrestohet edhe i dyshuari i dytë

Një person është arrestuar mbrëmë nga Policia e Kosovës, pasi i njëjti dyshohet se është përfshirë në vrasjen në tentativë në Ferizaj që ndodhi më 26 prill, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri mbetën të plagosur dy persona.

Përmes një komunikate për media, Policia njofton se i dyshuari i dytë që u arrestua mbrëmë është 28-vjeçar dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

“Me datën 16.05.2024 rreth orës 20:40 hetuesit rajonal kanë arrestuar edhe të dyshuarin e dytë të kësaj ngjarje SH.K (M/K) i moshës 28 vjeçar, i cili në prani të avokatit mbrojtës është intervistuar nga hetuesit rajonal”, thuhet në njoftim.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor në kohëzgjatje prej 48 orësh nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Vrasje në tentativë’.

Po ashtu po vijojnë hetimet për lokalizimin e vendndodhjes së personave tjerë që mund të jenë të dyshuar për rastin e 26 prillit.

Ndërkohë kujtojmë që dy ditë pasi ka ndodhur ngjarja, Policia ka arritur që të arrestojë të dyshuarin kryesor, A.D. 31-vjeçar.

I gjithë rasti dyshohet se kishte ndodhur në rrugën ‘Zenel Hajdini’, ku pas të shtënave me armë kishin mbetur të plagosur dy persona.

Viktimat fillimisht ishin dërguar për ndihmë mjekësore në Qendrën Emergjente në Ferizaj, mirëpo për shkak të gjendjes së tyre shëndetësore, janë transferuar për trajtim të mëtutjeshëm në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.