Fjalë Kyçe

Vritet një person në Prishtinë, arrestohet i dyshuari

Vritet një person në Prishtinë, arrestohet i dyshuari

Një person ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit. Rasti ka ndodhur sot në Kolovicë të Prishtinës.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.

Ulaj ka shtuar se lidhur me rastin një person është shoqëruar në stacionin policor.

“Prokurorja kujdestare nga Departamenti i Krimeve të Rënda është njoftuar nga policia për një rast që ka ndodhur sot në Kolovicë, me ç’ rast e njëjta i është përgjigjur vendit të ngjarjes bashkë me njësitë e tjera relevante. Një person ka ndërruar jete si pasojë e plagëve te marra nga një arme zjarri, ku me urdhër te prokurorit është dërguar ne IML për obduksion, derisa nje person tjetër është shoqëruar në stacion policor”, tha Ulaj.

Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës. Zëdhënësja e policisë, Flora Ahmeti ka thënë për Telegrafin se rasti ka ndodhur rreth orës 10:30.

“Sot rreth orës 10:30, në lagjen Kolovicë të Prishtinës, policia ka marrë informatën për një plagosje me armë zjarri. Viktima e këtij rasti F.B. mashkull, nuk ka arritur të përballoj plagët e shkaktuara dhe i njëjti ka ndërruar jetë, vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor në QKUK. Lidhur me këtë rast policia ka arrestuar një person dhe ka sekuestruar një armë gjuetie që dyshohet të jetë përdor në rast”, ka thënë Ahmeti.

Ahmeti ka theksuar se aktualisht hetuesit policor, në koordinim me Prokurorin e Shtetit janë duke punuar për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me këtë ngjarje.