Fjalë Kyçe

Vritet një tjetër shqiptar në Belgjikë

Vritet një tjetër shqiptar në Belgjikë

Bledar Muça, 39-vjeçari shqiptar i njohur si krahu i djathtë i fisi Çapja në Elbasan e i përfahirë në një sërë ngjarjesh kriminale është ekzekutar me breshëri plumbash mbrëmjen e kaluar në Belgjikë.

Mediat vendase shkruajnë se Muça, u vra një natë më parë, pak pas orës 23:00 në Baron Van Ertbornstraat në Anverse.

Mediat belge e identifikojnë Muçën si britanik, pasi ai lëvizte me identitet tjetër në këtë vend. Ai ka qenë duke parkuar makinën e tij pranë shtëpisë, kur dy persona që po e prisnin e kanë qëlluar me breshëri plumbash. Si pasojë e plagëve të marra, 39-vjeçari shqiptar ka ndërruar jetë në vend. Sipas autoriteteve të Anverse, atentatorët rezulton të jenë larguar me makinë pas krimit që kanë kryer, dhe nuk dihet më asgjë për ta. Pamjet filmike të kamerave të sigurisë janë sekuestruar dhe pritet që të zbardhen më tepër detaje mbi ngjarjen.

Një ditë pas krimit raportohet se pista kryesore ku po hetohet ngjarja është e shkuara e errët e viktimës. Autoritetet belge kanë kërkuar informacione nga Shqipëria, gjë që do tu shërbejë në zbardhjen e krimit.

Kush ishte Bledar Muça?

Bledar Muça, 39-vjeçari me origjinë nga Peshkopia, lindur e rritur në Elbasan që u ekzekutua sot në Anverse të Belgjikës rezulton të jetë një prej emrave që ka mbushur faqet e kronikës së zezë që nga viti 2009. I njohur si krahu i djathtë i Çapjave, Muça rezulton të jetë përfshirë në shumë ngjarje kriminale, një prej tyre edhe ndaj uniformave të Policisë së Shtetit, shkruan dosja.al.Për herë të fundit që Bledar Muça u vu në pranga ishte në maj të vitit 2020 pasi aksidentoi një efektiv policie. Në vitin 2016, ai u ka shpëtuar dy atentateve, konkretisht në muajt shkurt e qershor.

Emri i tij është i përfshirë në vrasjen e vëllezërve Roland dhe Ilir Rexhepi, vrasje të ndodhura në kohë të ndryshme në qytetin e Elbasanit, por që asnjëherë nuk iu provuan nga policia dhe nga prokuroria. Madje më 30 Dhjetor të vitit 2011, ai u shpall edhe në kërkim ndërkombëtar për vrasjen e vëllait të Roland Rexhepit, ish-efektivi i policies Ilir Rexhepi që njihej me pseudonimin “Doda”. Muça, me anë të një letre, e njoftoi policinë se nuk kishte gisht me vrasjen, pasi atë ditë ai kishte qenë në Angli. Në vitin 2013, ai u rikthye për tu përballur me drejtësinë dhe policia e prokuroria e pushuan çështjen kundër tij.