Fjalë Kyçe

Vuçiq: Berlini do ta ketë fjalën kryesore në dialogun me Kosovën

Vuçiq: Berlini do ta ketë fjalën kryesore në dialogun me Kosovën

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka thënë se Berlini përmes Brukselit  do ta ketë fjalën kryesore në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, pasi BE do ta emërojë një emisar special një person me mbështetje të lartë gjermane.

“Unë mendoj se unë tashmë e di se kush do të jetë përfaqësuesi i BE-së për dialog [Kosovë-Serbi] mbase edhe për Bosnjën e Hercegovinën. Do të jetë dikush që ka mbështetje të madhe nga Berlini dhe që ka ndikim në Berlin. Pa marrë parasyshë kush do të jetë ai personalitet, Berlini përmes Brukselit faktikisht do të ketë fjalën kryesore, gjë që nuk është e lehtë për ne. Do të jetë shumë, shumë e vështirë”, tha Vuçiq

Presidenti serb, duke folur për televizionin serb ‘TV Prva”, ka komentuar edhe vizitën  në Beograd të Përfaqësuesit të Lartë të BE për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, duke thënë se“ai është një njeri i mirë që i kupton pikëpamjet politike dhe nevojat e Serbisë, në krahasim me ata që mendojnë se është normale dhe se është çështje e momentit kur Serbia do ta njohë pavarësinë e Kosovës”, përcjell Telegrafi.

Vuçiq tha se në Prishtinë i kishin thënë Borrellit  se qeveria e re e Kosovës do të formohet të hënën, por shtoi se  diçka të tilla është duke dëgjuar  vazhdimisht.

“As Zoti nuk e di kur do të formohet qeveria në Prishtinë, e lëre më Josep Borrell. Ekziston rreziku nëse (udhëheqësi i vetëvendosjes) Albin Kurti do të dëshirojë të shkatërrojë serbët dhe Listën Serbe dhe të zgjedhë një  serb ‘privat’ për njërin nga ministrat. Kjo do të thoshte përfundimi i çdo bisede normale dhe racionale me Kurtin dhe qeverinë e tij të mundshme”, tha Vuçiq.