Fjalë Kyçe

Vuçiq falënderon Macronin për interesimin e shprehur në zgjidhjen e çështjes së Kosovës

Parada vjetore e ‘Ditës së Bastilles’ shënon sulmin në burgun e Bastilles më 1789, një ngjarje që ndihmoi në nxitjen e Revolucionit Francez.

Për këtë ditë, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq i ka dërguar urime presidentit francez, Emmanuel Macron.

Në letrën e urimit, Vuçiq i ka dëshiruar mirëqenie qytetarëve francezë, dhe ka theksuar se e ka nderin ta mirëpres Macronin nesër në Beograd.

“Pas gati dy dekadash, një president i Francës viziton Serbinë, ku edhe shënojmë 180 vjetorin e themelimit të marrëdhënieve diplomatike. Vizita jote do të konfirmojë se Serbia dhe Franca janë në rrugën e duhur për të arritur nivele më të larta të bashkëpunimit politik dhe ekonomik. Jam i bindur se rruga jonë evropiane është realiste dhe e arritshme”, ka shkruar Vuçiq, transmeton lajmi.net.

Tutje, ai ka thënë se Franca mund të mbështetet në Serbinë si një partner i besueshëm në ruajtjen e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

Po ashtu, Vuçiq ka falënderuar Macronin se po kontribuon në zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

“Më lejoni, që në funksion të reputacionin dhe ndikimit të Francës në politikën evropiane dhe botërore, të theksojë rëndësinë e mbështetjes së dhënë për politikën tonë rajonale të paqes dhe bashkëpunimit, si dhe çështjet që i trajtoni me interes të jashtëzakonshëm të cilat janë jetikë për përparimin e Serbisë, në veçanti Kosovën”, ka deklaruar presidenti serb.

Macron nesër pritet të vizitojë Serbinë, ndërsa gjatë javës është raportuar se temë kryesore e këtij takimi do të jetë arritja e një zgjidhje për dialogun Kosovë-Serbi.