Fjalë Kyçe

Vuçiq i quan politikanët kosovarë bandë, ndërsa ata të BE-së, rrenca

Vuçiq i quan politikanët kosovarë bandë, ndërsa ata të BE-së, rrenca

Platforma e Kosovës për dialog me Serbinë e ka hidhëruar shumë presidentin e këtij vendi Aleksandar Vuçiqi.

Ai dje, gjatë tërë ditës, nuk e ka lëshuar nga goja Kosovën dhe shqiptarët e saj dhe gjatë tërë kësaj kohe jo pak herë ka përdorur fjalë fyese kundër klasës politike të Kosovës.

Klasën politike të Kosovës, Vuçiqi e ka quajtur bandë. Madje, ka kërkuar edhe largimin e kësaj klase politike.

“Bandë e Prishtinës, sikter”, ka thënë ai me zemërim dje gjatë një tubimi me elektoratin e vet, njofton agjencia serbe e lajmeve tanjug

Gazeta e Beogradit “Politika” sot në ballinën e vet ka botuar fjalimin e tij me titull “Bandë e Prishtinës, sikter (jashtë) me atë dokument”. Me “dokument“ Vuçiqi, sipas gazetës serbe, i referohet Platformës së Kosovës për dialog me Serbinë, të cilën, ka thënë ai, Serbia nuk do ta pranojë, shkruan Koha.

Vuçiqi nuk është ndalur me akuza vetëm ndaj shqiptarëve të Kosovës. Ai e ka akuzuar edhe Bashkimin Evropian. “Rrenacakë”, i ka quajtur politikanët e BE-së.

“Ata më patën premtuar se në Kuvendin e Kosovës nuk do të miratohet Platforma”, ka thënë ai.

“Më kanë rrejtur, gënjeshtarët “, ka shfryrë mllefin Vuçiqi.

Për Platformën e miratuar e ka akuzuar edhe Slobodan Petroviqin, liderin e Partisë së Pavarur Liberale.

E ka quajtur “tradhtar”, sepse, ka thënë ai, me votimin e tij Kuvendi ki Kosovës ka bërë 61 vota dhe Platforma për dialog ka kaluar.

“Serbia nuk do ta pranojë këtë Platformë. Serbia nuk është as e vogël dhe as e dobët siç mendojnë në Kosovë dhe mbështetësit e saj ndërkombëtarë”, është kërcënua në fund Vuçiqi.