Fjalë Kyçe

Vuçiq i shkruan Trumpit: Dialogu vazhdon kur të hiqet taksa

Vuçiq i shkruan Trumpit: Dialogu vazhdon kur të hiqet taksa

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se i ka shkruar letër presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, në të cilën, siç u shpreh, ka thënë se Beogradi është i gatshëm të vazhdojë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Prishtinën “në momentin kur Kosova të heqë taksën” që u ka vënë prodhimeve të importuara nga Serbia.

“Në momentin kur Prishtina ta heqë këtë masë të paarsyeshme dhe të dëmshme, jemi të gatshëm të vazhdojmë dialogun në kërkim të një zgjidhjeje të qëndrueshme”, thuhet në letrën që Vuçiqi i ka dërguar Trumpit, në përgjigje të një letre që presidenti amerikan i ka dërguar atij më 14 dhjetor, transmeton REL.

“Taksa e Prishtinës është ngarkesë dhe pengesë e pakapërcyeshme për rifillimin e dialogut, sepse jo vetëm që i sjellë dëm ekonomisë serbe, por rrezikon edhe jetën e serbëve në Kosovë”, thuhet në letrën e Vuçiqit, të cilën e transmeton agjencia serbe e lajmeve “Beta”.

Në dhjetor, Trumpi u kishte shkruar letër Thaçit e Vuçiqit, duke iu bërë thirrje që të angazhohen në dialog dhe në arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve.

Të martën, Thaçi bëri të ditur se i është përgjigjur letrës së Trumpit, duke u zotuar se do të punojë për marrëveshjen historike me Serbinë.