Fjalë Kyçe

Vuçiqi dhe Kosova – Vetëm të caktohet çmimi

Vuçiqi dhe Kosova – Vetëm të caktohet çmimi

Vitin e kaluar kemi shikuar filmin me “kufizime”, sipas së cilit Serbia nuk ka shpëtim, nëse nuk ndahet nga Kosova. Ndërsa tani po shohim pazaret e Vuçiqit me fuqitë e mëdha perëndimore.

Ditët e kaluara kancelarja Angela Merkel është parë shumë shpesh në faqet e para të portaleve në Serbi: Serbisë në zëvendësim për njohjen e Kosovës i ofrohet një fabrikë e Volkswagenit; Serbisë i ofrohet anëtarësim më i shpejtë në BE… Merkel ua ka kthyer shpinën shqiptarëve dhe pranon ndryshimin e kufirit…Po të vinte dikush nga Marsi në Tokë, do të mendonte se kancelarja gjermane e ka humbur rrugën në ndonjë treg dhe aspak nuk di të bëjë pazar – vetëm ofron gjithnjë e më shumë gjëra, shkruan “DW”.

Por sa mund t’i besohet këtyre mediave, u pa ditën e martë kur ato pohonin se Vuçiqi i ka thënë Merkelit që gjërat nuk shkojnë kështu – ndonëse Merkel dhe Vuçiq ende nuk ishin takuar. Duket se dikush nga delegacioni i Vuçiqit në SHBA u ka dhënë këtyre mediave një teskt që duhet të botojnë, por ka harruar t’u thotë se takimi është shtyrë për një ditë më vonë.

Për përbërjen e bisedës pas takimit me Merkelin ka njoftuar vetëm një person – vet Aleksandar Vuçiq. Për kumtesën e kancelares Merkel nuk kishte asnjë fjalë. Vuçiqi mbetet pra burimi i vetëm që njofton nga ky takim.

Nga deklarata e tij mësohet se nga Berlini nuk ka asgjë të re për çështjen e Kosovës. Ndërsa tabloidet e Serbisë e kanë marrë vetëm një gjysmëfjali dhe kanë bërë sensacion. Vuçiqi ka deklaruar se Merkel është e mendimit se duhet të “negociohet deri sa nuk gjendet ndonjë zgjidhje”. Dhe kjo fjali është interpretuar si ndryshim i qëndrimit të ngurtë gjerman kundër ndryshimit të kufijve.

Kjo është edhe një kotësi, por edhe sikur të thoshte Merkel një gjë të tillë, shtrohet pyetja: Pse pikërisht tani ka filluar ky lloj destanti për çështjen e Kosovës, në mediat e afërta me regjimin?

Duket se ka filluar faza e dytë e zierjes së zhabës, më mirë thënë opinionit serb.

Verën e kaluar kemi parë fazën e parë të zierjes, me titull “përkufizimi”. Thuhej se Serbia do të përballet me rënie të madhe ekonomike, shqiptarët po përjetojnë një bum demografik dhe së shpejti do të mbërrijnë deri në Nish, do të ketë katastrofë. Vulini konstatoi: “Nëse nuk ndahemi me shqiptarët, do t’i kemi punët shumë keq”.

Në fazën e dytë tani po flitet për çmimin.

Në fjalorin e pazarit, Vuçiqi është i pari me pohimet se shqiptarët nuk duhet t’i fitojnë të gjitha e serbët asgjë. Nuk ke nevojë për tepër inteligjencë të kuptosh se ai është i gatshëm të njohë pavarësinë e Kosovës, nëse arrihen kushte të pranueshme. Në vend se të publikojë planin e tij përfundimtar për Kosovën dhe të thotë çfarë do, ai thotë se çfarë nuk do. Vuçiqi po bën pra pazar.

Një pjesë e kundërshtarëve të tij shpreson se pushtetmbajtësi i plotfuqishëm do të rrëzohet me temën e Kosovës. Ndërsa të tjerët shpresojnë se Vuçiqi do ta përfundojë këtë temë të pakëndshme.

Vuçiqi e di se çfarë dhe kujt i ka dhënë premtime në qarqet ndërkombëtare. Koha po kalon dhe e vërteta do të dalë në shesh. Ndaj tani ai po i jep gaz kësaj çështjeje. Opinionit po i ofrohen versione të ndryshme se si mund të nënshkruhet pavarësia e Kosovës, por duke kritikuar mediat, opozitën dhe të gjithë ata të cilët marrin guximin të flasin kundër politikës së tij.

Ndërkohë që zgjedhjet po afrohen. Nëse ato bojkotohen nga partitë më të mëdha opozitare, nuk ka pikë dyshimi se SNS (Partia Përparimtare Serbe e Vuçiqit) do të ketë dy të tretat e mandateve në Parlament, të nevojshme për ndryshimin e Kushtetutës. Mendohet se ai do të ketë edhe ndonjë opozitë të gatshme për të mbështetur politikën vizionare të tij për Kosovën. Dhe natyrisht Sheshelin, i cili para vëzhguesve ndërkombëtarë do të luajë nacionalistin e tmerrshëm.

Më pas do të fillojë faza e tretë e zierjes së zhabës – përgatitja për referendum dhe aminimi i marrëveshjes me Prishtinën. Kjo fazë do të jetë shumë e rëndë për ata që nuk kanë stomak të fortë, sepse do të vijë faza, kur nacionalistët dhe luftënxitësit e viteve 90-të, do të bindin qytetarët që të votojnë kundër gjërave, për të cilat vetë ata janë angazhuar plot 30 vjet.

Kancelarja Merkel ka premtuar gjoja se do të vijë edhe në Serbi për vizitë. Besoj se Vuçiqi këtë gjysmëvjetor do të jetë një nxënës shumë i mirë.