Fjalë Kyçe

VV-ja dyshon për dallavere në çështjen e taksive elektrike në Prishtinë, çon rast në Polici

VV-ja dyshon për dallavere në çështjen e taksive elektrike në Prishtinë, çon rast në Polici

Grupi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës ka çuar të premten në Polici kërkesën për inicim të hetimeve në lidhje me një aktivitet ekonomik të zhvilluar nga kjo komunë në muajt e fundit të vitit të kaluar.

Sipas njoftimit, bëhet fjalë për rastin “thirrje për aplikim për licencimin e operatorëve ekonomikë për organizimin e transportit taksi të udhëtarëve me vetura elektrike”.

“Sipas informacioneve të siguruara nga qasja në dokumentet zyrtare dyshohet se që nga thirrja për aplikim e shpallur me datë 2 nëntor 2021 e deri në përfundim të procesit janë bërë anashkalime, shkelje të procedurave, keqpërdorim të pozitës ose autoritetit zyrtar në Komunën e Prishtinës dhe për më tepër dyshohet se janë kryer veprime inkriminuese të cilat kanë dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës. Duke shpresuar dhe besuar në profesionalizmin dhe përkushtimin e organeve kompetente kërkojmë veprime konkrete e të menjëhershme për hetimin dhe sqarimin e të gjitha dyshimeve të ngritura”, thuhet në njoftimin e VV-së.

I shpejt ka qenë edhe reagimi i Komunës.

Teksa ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim me organet e rendit, Komuna e Prishtinës ka thënë se vendimi ka qenë i administratës së kaluar. Në njoftim bëhet e ditur se qeverisja e re ka kërkuar auditim të jashtëzakonshëm për rastin në fjalë.

“Ju njoftojmë se, nga mediat kuptuam që Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar nga Policia e Kosovës hetim të Komunës së Prishtinës, për siç thuhet në njoftim, një aktivitet të dyshimtë ekonomik, që përfshin edhe keqpërdorimin e parasë publike, gjegjësisht, për licencimin e operatorëve ekonomik për organizimin e transportit taxi të udhëtarëve me vetura elektrike. Meqenëse, Vendimi në fjalë është marr pak para ardhjes së administrates së re qeverisëse, qeverisja e re lokale menjëherë ka kërkuar auditim të jashtëzakonshëm lidhur me rastin në fjalë është në pritje të rezultateve të auditimit, dhe sa i përket organeve të hetuesisë, jemi të hapur ndaj çdo kërkese që organet e rendit mund të kenë”, thuhet në njoftimin e Komunës.