Fjalë Kyçe

VV: Liderët po i mashtrojnë qytetarët për liberalizim të vizave

VV: Liderët po i mashtrojnë qytetarët për liberalizim të vizave

Bashkësia ndërkombëtare “ka ashpërsuar” thirrjet për luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit, teksa me këtë gjë po kushtëzohet edhe heqja e vizave dhe integrimi i Kosovës në BE. Përfaqësuesit e partive politike thonë se me “izolimin” e kosovarëve BE-ja po tregohet e padrejtë me Kosovën.

Fitore Pacolli, anëtare e Komisionit për Punë të Jashtme, ka thënë se luftimi i krimit të organizuar dhe i korrupsionit nuk është kriter i ri, mirëpo sipas saj udhëheqësit shtetërorë e kanë më të lehtë të falin tokë sesa ta luftojnë korrupsionin.

“Luftimi i korrupsionit dhe i krimit të organizuar nuk është kriter i ri. Ka qenë kriteri kryesor nga fillimi. Qeveritë e Kosovës e kanë ditur këtë që nga fillimi, por më të lehtë e kanë parë që t’ia falin 8.200 hektarë tokë Malit të Zi sesa ta luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar. Luftimi i korrupsionit dhe i krimit të organizuar do të thotë të fillojnë te vetja e këtë nuk janë në gjendje ta bëjnë”, ka deklaruar Pacolli për “Zërin”.

Pacolli mes të tjerash ka thënë që Qeveria e Kosovës dhe deputetët e Kuvendit me votën e tyre për Demarkacionin shkëmbyen tokën e Kosovës me një rekomandim të Komisionit Evropian, i cili nuk ishte i sigurt se do të merrej parasysh nga shtetet anëtare të BE-së. “Ne si LVV në mënyrë jozyrtare patëm nxjerrë një raport të brendshëm të punuar nga ekspertë evropianë për të vlerësuar kapacitetin e institucioneve të drejtësisë për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Aty thuhej në mënyre direkte që sistemi i drejtësisë kontrollohet nga partitë në pushtet dhe kryesorja ishte potencuar që nuk ka luftim të korrupsionit dhe të krimit të organizuar te zyrtarët e nivelit të lartë.

Ky raport është përgatitur për nevoja të shteteve anëtare, të cilat edhe do të vendosin për ose kundër liberalizimit të vizave”, ka shtuar deputetja e LVV-së, duke i kritikuar krerët shtetërorë për falje të tokës në shkëmbim të vizave. Duke u bazuar në të gjitha këto, Pacolli ka theksuar se qytetarët kosovarë tashmë disa vite radhazi po manipulohen dhe mashtrohen nga liderët shtetërorë për heqjen e vizave.