Lëvizja Vetëvendosje kritikoi kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, të cilin e quajti jolegjitim, lidhur me Marrëveshjen e nënshkruar në Washtingon, konkretisht pikën e 15-të që ka të bëjë me moratoriumin.
Fitore Pacolli nga Vetëvendosja, tha se me këtë veprim, Kosova hoqi dorë nga shtetësia e saj.
“Ky zotim vuri në pah gatishmërinë e kësaj qeverie jolegjtime që të suspendohet nga anëtarësimi në organizata ndërkombëtare. Do t’i shkaktojë dëme Kosovës ky moratorium. Në pikën e parafundit të Marrëveshjes theksohet kjo. Pra kemi një kryeministër ilegal që bëri shkelje kushtetuese. Është precedent i pashembullt”, tha Pacolli.
Ajo ka thënë se nuk ka asnjë shtet, që ka marrë vendim për ndalimin e aktiviteteve për anëtarësim.
“Është tejet me rëndësi për shumë fusha, e sidomos për të ndikuar tek shtetet që s’e kanë njohur Kosovën. Pse tani? Procesi i forcimit të shtetit të Kosovës për anëtarësime ka degraduar, madje edhe në anëtarësim me fusnotë. Ndërsa tani kemi hequr dorë plotësisht. E para reduktoi anëtarësimin të Kosovës me fusnotë si dhe bllokon Kosovën në shumë dimensione”, ka thënë Pacolli në konferencën e shtypit.
Pacolli ka shtuar se Kosova me vetëdëshirë, nuk do të aplikojë në organizata ndërkombëtare përfshirë këtu OBSH-në e UNESCO-n.
Pacolli tha se anëtarësimi i Kosovës ka të bëjë edhe me interesat e partnerëve ndërkombëtare.
“Anëtarësimi i Kosovës shkon përtej interesave të Kosovës”, tha ajo.
E ndërkohë, si ka thënë ajo, fushata e Serbisë po vazhdon. Sipas saj, s’ka pasur kurrfarë garancie se Serbia të ndalojë.
“Është dorëzim i Kosovës para Serbisë”, tha Pacolli.
Enver Dugolli, në anën tjetër, tha se Qeveria Hoti “është e padijshme”.
“Kjo qeveri është e humbur, e padijshme dhe tejet e dëmshme. Po synojnë të vënë në gjumë qytetarët, kinse edhe për anëtarësim ne NATO”, tha ai duke shtuar se kësaj qeverie më së paku i intereson anëtarësimi. Ai ka kërkuar njëkohësisht dorëheqjen e saj.
“Jo që po na afron, por po na largon nga ndërkombëtarët”.