Zëvendëspresidenti i Këshillit Atlantik, Damon Wilson, i cili po qëndron në Kosovë në krye të një delegacioni nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka takuar sot gjatë ditës tre liderët e vendit ndaras.
Wilson ka treguar përshtypjet e tij për takimet me liderët kosovarë.
“Ishin takime shumë të mira. Jemi këtu me një delegacion të Këshillit Atlantik për të vazhduar me përkushtimin amerikan për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor. Jemi si pjesë e një delegacioni më të gjerë nga Kongresi për t’u angazhuar më shumë që të ndihmojmë që rajoni të ketë sukses”, tha Wilson në Info Magazine të Klan Kosovës.
“Ishte kënaqësi që pata rastin sot që të takohem me presidentin Hashim Thaçi, kryeministrin Ramush Haradinaj dhe kryeparlamentarin Kadri Veselin për të theksuar mbështetjen amerikane për vendimet e vështira politike që merren, për të vazhduar udhëtimin e këtij vendi, por edhe për proceset e vështira dhe dialogun e vështirë”.
“Premisa e gjithë punës tonë është që derisa Kosova vazhdon të përparojë në vend, ne dëshirojmë që të jemi partner në aspiratat tuaja për të qenë pjesë e komunitetit transatlantik dhe Bashkimit Europian”.
Zëvendëspresidenti i Këshillit Atlantik ka thënë se dialogu me Serbinë nuk është një proces i lehtë.
“Natyrisht që është proces i vështirë, por jemi në përvjetorin e 20-të të çlirimit ku kosovarët mund të përkufizojnë vet të ardhmen e tyre”.
“Kosova ende nuk është në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe ende ka pengesa mes të dyja vendeve të cilat janë të kuptueshme nëse e kujtojmë se çfarë ka ndodhur në vitet 1998-1999”.
“Puna e Këshillit Atlantik dhe puna ime është që t’i ndihmojmë këto shoqëri t’i tejkalojnë këto procese dhe që ish-kundërshtarët të bëhen partnerë. Nuk do të jetë një dialog i lehtë – do të kemi të mira dhe të këqija në këtë proces”.
Ai ka përmendur disa zhvillime në Ballkanin Perëndimor të cilat i konsideron si pozitive.
“Është arritur një përparim i madh deri tash. Mali i Zi është në NATO dhe e kemi Marrëveshjen e Prespës mes Shkupit dhe Athinës për ndryshimin e emrit – të gjitha këto janë zhvillime të mira”.
“Më e rëndësishmja tash është që të punohet për diçka që do të jetë me të vërtetë historike mes Prishtinës dhe Beogradit”, tha ai.
Por, a është momenti i duhur për një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë?
“Tash është koha. Ky është një momentum për rajonin – është e pazakontë që të kemi gjithë këtë bashkërendim dhe interesim në Washington sepse ka shumë konkurrencë për vëmendje atje, por edhe në shtetet e BE-së”.
“Ne e kemi politikën tonë që është shumëpartiake dhe po ashtu e kemi edhe ciklin e zgjedhjeve në SHBA”.
“Është një mundësi ideale që nuk duhet të humbet. Presidenti amerikan Donald Trump i ka dërguar letra presidentit kosovar [Hashim Thaçit] dhe presidentit serb [Aleksandar Vuçiqit] për të theksuar se çfarë mund të ndihmojmë edhe ne për këto negociata të vështira”.
Ai ka thënë se ky proces e ka gjithë vëmendjen amerikane, por e ka tërhequr vërejtjen që kjo vëmendje mund të mos jetë gjithmonë kështu.
“E keni vëmendjen e qëndrueshme të politikës amerikane dhe duhet ta mirëmbajmë atë, por i inkurajoj të gjithë njerëzit në Ballkan që mos ta marrim këtë si të mirëqenë”, tha Wilson.