Fjalë Kyçe

Xhaka është pishman që festoi me shqiponjën dykrerëshe kundër Serbisë

Xhaka është pishman që festoi me shqiponjën dykrerëshe kundër Serbisë

Mesfushori kosovar i Përfaqësueses së Zvicrës, Granit Xhaka, thotë se nuk është dashur që të festonte me shqiponjën dykrerëshe në ndeshjen e Botërorit 2018 kundër Serbisë, raporton gazeta “Blick”.

Xhaka e Xherdan Shaqiri shënuan atëbotë golat në fitoren 2:1 të Zvicrës ndaj Serbisë në fazën e grupeve.

Festimi i tyre ishte përcjellë me kritika në Zvicër, e madje ata edhe morën gjobë.

Xhaka në një intervistë për gazetën zvicerane “Blick” të dielën ka thënë se nuk është dashur të festonte me shqiponjën dykrerëshe në atë ndeshje.

“Çdo gjë shkoi mirë në ndeshjen kundër Serbisë. Me përjashtim të festimit me shqiponjën dykrerëshe, nuk duhej ta kisha bërë atë”, thotë Xhaka për Blick.

Zvicra edhe në Botërorin 2022 në Katar gjendet në grup me Serbinë. Xhaka ka thënë se familja e tij nuk do të jetë në stadium për ndeshjen.

Për shortin e Botërorit 2022 ai ka thënë se Serbia nuk ishte kundërshtarja që e donte.

“Ishte kundërshtari i fundit që e doja. Por, shpresoj që në kohën e ndeshjes do të avancojmë tutje me dy fitore. Më pas mund t’i qasemi ndeshjes pa presion”, tha Xhaka.

Në Grupin G janë edhe Kameruni e Brazili.

Xhaka ka folur edhe për zëvendësimin që iu bë në ndeshjen kundër Kosovës, e për të cilën nuk ishte i kënaqur.

“Është e saktë, do të doja ta përfundoja ndeshjen time të 100-të. Por, megjithatë unë kam respekt të madh për Murat Yakinin. Isha mbledhës i topave, kur ai ende luante. Më fascinonte atëbotë. Të dy jemi shumë të drejtpërdrejtë dhe kemi mendime të qarta. Por, ne nuk kemi asnjë problem me njëri-tjetrin”, ka thënë Xhaka.

Xhaka është kthyer në lojtar të adhuruar të tifozëve të Arsenalit. Tifozët e Arsenalit po i këndojnë këngë çdo ndeshje thuajse.

Është shumë larg nga gjendja e tri vjetëve më parë, kur ai ishte fishkëllyer dhe ishte afër të braktiste klubin.

“Kjo histori është vërtetë e çmendur. Tre vjet më parë tifozët më shanin. Isha i dëshpëruar, thosha se nëse nuk më duan këtu, atëherë e ardhmja ime nuk është këtu. Unë nuk po luaja aq keq, por asgjë nuk mjaftonte. U lodha”, tregon Xhaka.

Ai thotë se trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, e ka ndihmuar të kuptojë vërtetë futbollin.

“Më duhej të mbushja 27 vjet që të kuptoja vërtetë futbollin dhe kjo ishte merita e tij. Mikeli më tregoi futbollin në një mënyrë tjetër. Ai e shpjegon lojën, taktikat, kundërshtarin, në atë mënyrë që vetëm mund të dalësh në fushë dhe të fitosh. Një njeri i jashtëzakonshëm”, tha Xhaka.