Fjalë Kyçe

Xhavit Haliti tregon se si do të veprohet pas kërkesës së Thaçit për mandatar të ri për kryeministër!

Xhavit Haliti tregon se si do të veprohet pas kërkesës së Thaçit për mandatar të ri për kryeministër!

Koalicioni fitues i zgjedhjeve PAN pritet që të mbledhet së shpejti për t’u konsultuar për emrin e ri të mandatarit për kryeministër të Qeverisë së Kosovës, pas kërkesës së Presidentit Hashim Thaçi, për një propozim të ri.

Kështu ka bërë të ditur për “Gazeta Blic” numri dy i PDK-së Xhavit Haliti. Ai tha se kryetari i koalicionit PAN, Kadri Veseli do të takohet me krerët e partive në koalicion për t’u marrë vesh lidhur me mandatarin e ri.

Z. Thaçi ka vepruar në bazë të Kushtetutës me këtë letër drejtuar z. Veseli si kryetar i koalicionit PAN. Tani pritet që koalicioni PAN të mblidhet dhe të dalë me propozim për kandidatin e ri për kryeministër. Pastaj varët nga Kuvendi nëse ia jep besimin apo jo“, tha ai, raporton GazetaBlic.

I pyetur, për mundësitë e shkuarjes në zgjedhje të parakohshme, në rast se nuk arrihet marrëveshje për një mandatar të ri, Haliti tha se aktualisht si parti janë duke i bërë përgatitjet për këtë çështje.

“Partitë politike në përgjithësi janë deklaruar se duan zgjedhje, por sa janë të përgatitura secila e di për partinë e vet. Ne si PDK po i bëjmë të gjitha përgatitjet për zgjedhje të reja”, ka thënë ai.

Proceduralisht, pas caktimit të mandatarit për formimin e qeverisë, pas propozimit të partisë politike ose të koalicionit që përbën shumicën e Kuvendit, kandidati i ri për kryeministër jo më vonë se pesëmbëdhjetë ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e qeverisë së re para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit.

Nëse ajo përbërje e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, presidenti brenda dhjetë ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë. Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet qeveria, atëherë presidenti i shpall zgjedhjet që duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre./Gazeta Blic/