Drejtuesit e Chelsea kanë punuar deri më tani “nën rrogoz” për të realizuar blerjen surprizë, që do t’i hiqte dhimbjen e kokës trajnerit Maurizio Sarri në lidhje me problemet që skuadra e “bluve” të Londrës ka në sulm.
Sipas të përditshmes britanike “Sunday Express”, skuadra e Chelsea është gati të paguajë 50 milionë stërlina (56 milione euro), për të sjellë në “Stamford Bridge” sulmuesin uruguajan Edinson Cavani, që luan me kampionët e PSG-së.
Sulmuesi 31-vjeçar ndodhet në Francë që prej vitit 2013, duke realizuar 126 gola në 175 ndeshje me PSG-së, sulmuesi ideal për Chelsea, ku po zhgënjejnë si Alvaro Morata ashtu dhe Olivier Giroud.
Sipas mediave, bisedimet janë kryer në fshehtësi dhe palët kanë kohë që diskutojnë, madje transferimi është shumë pranë dhe mund të konkretizohet që në janar, transmeton telesporti.
Në këtë mënyrë, PSG do të mbante si Mbappe ashtu dhe Neymar, duke sakrifikuar Cavani.