Deborah Coughlin nuk kishte simptomat tipike të COVID-19, ajo nuk kollitej dhe nuk kishte vështirësi në frymëmarrje.
Ditët e para, temperatura e saj kurrë nuk u ngrit mbi 37.8 gradë.
Në fakt, 67-vjeçarja amerikane shkoi në Repartin e Urgjencës në një spital në Hartford, Connecticut, për të vjella dhe diarre.
“Mendonim se ishte një helmim në stomak”, tha vajza e saj Catherina Coleman për Washington Post.
Por në një moment, ndërsa Coughlin po fliste me vajzat e saj në celular, niveli i oksigjenit në gjak ra në një nivel kaq të ulët.
Coughlin është vetëm një nga personat e sëmurë rëndë me coronavirus që ka simptoma të çuditshme që shumë mjekë në të gjithë SHBA-në dhe botë po mundohen t’i njohin, shpjegojnë dhe t’i trajtojnë, transmeton Telegrafi.
Kjo është shumë më tepër sesa një sëmundje e frymëmarrjes
“Në fillim nuk e dinim se me çfarë po merreshim. Pamë që pacientët vdesin para syve tanë. Papritur ishim në një lojë krejtësisht tjetër dhe nuk e dinim pse”, tha mjeku kryesor në Spitalin Mount Sinai në New York City, epiqendra e epidemisë së COVID-19 në Shtetet e Bashkuara.
Kjo sëmundje virale e komplikuar dhe e paparashikueshme më së shpeshti sulmon mushkëritë, por gjithashtu mund të sulmojë çdo pjesë të trupit – fjalë për fjalë nga truri deri tek gishtërinjtë.
Coronavirusi shkakton reaksione inflamatore, por edhe mpiksjen e gjakut në të gjithë trupin.
Coronavirus SARS-CoV-2, në disa pacientë, formon mpiksje gjaku në mushkëri, veshkë, venat në të gjithë trupin, dhe këto mpiksje gjaku në disa raste përfundojnë në sulme në zemër dhe goditje në tru që papritmas mund të mbysin pacientin.
Mpiksje gjaku që shkaktojnë goditje në pacientët e moshës më të re
Një shqetësim i veçantë është që goditjet dhe sulmet në zemër ndodhin tek pacientët nën moshën 50-vjeç, të cilët më parë kanë pasur pak ose aspak simptoma të coronavirusit.
“Virusi duket se shkakton mpiksje në arteriet e mëdha”, i tha CNN muajin e kaluar një neurokirurg nga Spitali Mount Sinai, i cili trajtoi pesë pacientë të tillë.
Ai shtoi se të dhënat e tyre tregojnë një rritje të shtatëfishtë të goditjeve të papritura te pacientët e moshës më të re.
Sipas të dhënave nga autopsitë e zinxhirit amerikan të spitaleve private Northwell Health, rreth 40% e pacientëve me coronavirus që vdiqën pasi u lanë të lirë nga spitalet, dukej se kishin një sulm në zemër, ose një ndërlikim të ngjashëm me mpiksjen.
Dhe shkencëtarët holandezë zbuluan gjithashtu në një studim të kohëve të fundit se një e treta e 184 pacientëve që përfunduan në kujdes intensiv për coronavirusin kishin një ndërlikim të shoqëruar me mpiksjen e gjakut, qoftë në këmbë, mushkëri, zemër apo pjesë të tjera të trupit.
Virusi sulmon edhe veshkat, zemrën, trurin
Përveç shkaktimit të mpiksjeve që mund të përfundojnë në zemër, coronavirusi sulmon drejtpërdrejt edhe zemrën, duke dobësuar muskujt e zemrës. Po ashtu sulmon veshkat ashpër, shkakton simptoma neurologjike dhe mund të arrijë drejtpërdrejt në tru.
Mund të fillojë me simptoma shumë të buta ose pa simptoma fare dhe më pas, brenda pak ditësh ka një përkeqësim të shpejt të gjendjes dhe ky përkeqësim ka habitur edhe edhe mjekët me përvojë. Më së shumti prek njerëzit e moshuar, imuniteti i të cilëve është dobësuar nga sëmundjet e mëparshme, por mund të shkaktojë një reagim të rrezikshëm inflamator me ndërlikime kardiake edhe në disa fëmijë.
Fëmijët filluan të vdesin nga komplikime të rrezikshme të zemrës
Guvernatori i shtetit amerikan të Nju Jorkut njoftoi të premten e kaluar se 73 fëmijë në atë shtet u sëmurën rëndë, dhe një djalë pesë-vjeçar në Nju Jork ishte fëmija i parë që vdiq nga coronavirusi atje. Dy fëmijë të tjerë vdiqën të shtunën.
Lajmi tronditi mjekët. “Ne të gjithë menduam se kjo sëmundje po vriste njerëz të moshuar, jo fëmijë”, tha Dr. David Reich, president i Spitalit Mount Sinai, për Washington Post.