Zgjedhjet në Kosovë qysh nga paslufta janë shoqëruar me parregullsi sa u përket pastrimit të listave me emrat e të vdekurve.
Në të gjitha zgjedhjet nuk kanë munguar në lista emrat e të vdekurve. Për më keq, në shumë raste janë parë edhe nënshkrime te emrat e tyre, vetëm për t’i arsyetuar votat e parregullta të cilat futeshin kundërligjshëm nëpër kutitë e votimit.
Ironinë më të mirë ndër vite për këtë dukuri e ka bërë vazhdimisht komediani Mehdi Mulaj, i cili njihet për humorin e tij të hollë dhe me mesazhe të forta vetëdijesimi.
Ai së fundmi e ka realizuar një video, ku shihet tek varrezat, me një kuti votimi në duar, duke ua ofruar të vdekurve shërbimin e votimin në vend, pa pasur nevojë “të zgjohen” për të votuar në ditën e votimit.
Komediani Mehdi Mulaj, në zgjedhjet e kaluara pati realizuar një video tjetër, ku shihej duke i ruajtur të vdekurit të mos zgjoheshin për të votuar.