Kujtim Zebica ishte njëri prej panelistëve të mbrëmshëm të emisionit sportiv “Favorit” në T7, ku u diskutuan tema të ndryshme dhe mjaft interesante.
Njëra prej tyre ishte edhe ajo e Ballkanit, i cili ka përfunduar në krizë të rezultateve, shkruan “Gazeta Express”.
Mirëpo, opinionisti në fjalë ka folur edhe për infrastrukturën e klubit Portokalli dhe për përfitimet e këtij klubi nga sukseset vendore dhe nga arritjet në garat evropiane në dy sezonet paraprake.
“Niveli i shtuar i ndeshjeve të Ballkanit që prej verës, ndeshjet kampionale, ndeshjet në garat evropiane, në Ligën e Kampionëve dhe në Ligën e Konferencës, dhe tash përsëri Superliga, kanë lënë pasoja që mendoj se do të shërohen, por ju duhet kohë. Mendoj se do të ishte shumë më e lehtë për Ballkanin sikur ta kishin një golashënues të mirë për t’i nxjerrë në disa situata.”
“Kjo pasi rezultatet e mira ndikojnë në aspektin psikologjik. Dhe, psikologjia e mirë mendoj se do të ishte një shërues shumë i mirë për formën fizike të disa lojtarëve, të cilat i kam parë që nuk janë në formën më të mirë. Por, Daja e njeh futbollin mirë dhe besoj se do ta gjejë zgjidhjen.”
“Unë mendoj se Ballkani e ka pasur obligim, meqenëse ka gjeneruar, në bazë të raporteve financiare të publikuara në uebsajtin e tyre, në dy sezonet e fundit paraprake, 3 milionë euro fitim neto pas taksave. Me aq sa kam informata, edhe stërvitjet edhe ndeshjet i zhvillon ndeshjet me bari sintetik në Suharekë. Aty luajnë edhe gjeneratat e reja, nuk ka kushte të mira.”
“Unë mendoj se gabimi fillestar i Ballkanit ka qenë ajo që nuk ka investuar në infrastrukturë kur edhe ka pasur mundësi, pasi ka mundur ta krijonte një lloj aseti që kish me ndihmu klubin shumë për të ardhmen.”