Fjalë Kyçe

Zemaj e quan të paaftë për menaxhim Arben Vitinë pas akuzave: Me një USB iu kisha informu, për 5 minuta

Zemaj e quan të paaftë për menaxhim Arben Vitinë pas akuzave: Me një USB iu kisha informu, për 5 minuta

Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj i ka reaguar deklaratave të ministrit aktual Arben Vitia që u ankua se nga Qeveria Hoti nuk ka pranuar dokumentet e nevojshme sa i përket diskutimit për të siguruar vaksinat Anti Covid.
Zemaj ka thënë se këto deklarime nuk i bëjnë nder Vitisë, duke thënë se ky i fundit nuk ka paraqitur as program politik për sektorin e shëndetësisë.

Sipas ish-ministrit, Vitia po tenton që “paaftësitë e tij menaxheriale t’i paraqes si situatë të komplikuar pandemike”.“Ju ose jeni keqinformuar ose po tentoni paaftësitë tuaja menaxheriale t’i paraqitni si të gjetura të komplikuara të situatës pandemike ose të situatës së shëndetësisë.

Dy gjëra që ju i thatë nuk janë të vërteta, është që të gjitha dosjet që ndërlidhen me vaksinat, përfshirë të gjitha negociatat dhe kërkesat e komunikimet ju kam dorëzuar në pranim dorëzim të detyrës si protokoll demokratik të cilin unë nuk e kam gjetur as nuk kam pranuar asnjë dokumentacion kur kam pranuar mandatin. Se cka keni bërë e si i keni trajtuar dosjet ku janë përgjigjen duhet ta kërkoni te stafi juaj”, tha ai.

“Unë kam qenë në Prishtinë z.ministër, edhe stafi im, krejt çka është dashtë janë 5 minuta me ardhë me një USB më ju informu për atë që ju kam ofru, jam i gatshëm në çdo moment në çdo orë të kem një komunikim për procesin e vaksinave. Nuk e di çfarë qëllimi keni që thoni të pavërteta. Çdo komunikim që kam pas, menjëherë e kam përcjellë te ju dhe e kam përcjell me gëzim se është në interes të qytetarëve. Se cka ka ndodhë e keni një deklaratë se po ka arritë nënshkrimi i parë i kësaj marrëveshje. Unë kam qenë në Prishtinë, ju jam ofru me dashamirësinë më të madhe”, ka thënë ai.Zemaj ka pasur kritika edhe sa i përket procesit të vaksinimit dhe masat e reja Anti Covid.