Fjalë Kyçe

Zgjedhjet, 45 ditë pas shpërbërjes së Parlamentit

Zgjedhjet, 45 ditë pas shpërbërjes së Parlamentit

Për herë të dytë, Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga posti i tij i kryeministrit.

Në mars të vitit 2005 , Haradinaj kishte dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit pas aktakuzës së parë të ngritur nga Tribunali i Hagës.

Ndërsa, dje, për herë të dytë, tha dorëheqje për shkak të ftesës së Speciales për në Hagë.

Sipas njohësit të drejtës ndërkombëtare, Flamur Hyseni, nëse ka shumicë parlamentare aktive nga koalicioni qeverisës, mund të mandatohet kandidati i ri, për të formuar Qeverisë.

“Në aspekt juridik, nëse ka shumicë parlamentare aktive nga koalicioni qeverisës, mund të mandatohet kandidati i ri, për të formuar Qeverinë. Që do të thotë nuk është e domosdoshme të shpallen zgjedhjet e parakohshme. Në aspekt politik, gjithçka është e mundur”, ka thënë Hyseni.

Mirëpo, tashmë subjektet politike janë deklaruar se duan zgjedhje dhe jo qeveri teknike.

Sipas njohësit politik, Mazllum Baraliu, varianti i shkuarjes në zgjedhje është më i mirë, pasi qytetarët do të mund të votojnë atë që dëshirojnë t’i përfaqësojnë.

Ai ka thënë se tani vendimin për zgjedhje mbetet në duart e Presidentit, Hashim Thaçi.

Pas shpërberjes së Kuvendit, hapen dyert që Presidenti Thaçi të shpall zgjedhjet sipas afatit kushtetues.

“Pasi partitë nuk duan qeveri teknike, atëherë do të mbahet një mbledhje e veçantë e parlamentit ku do të kërkohet dhe votohet shpërberja e parlamentit. Kjo më pas i hap dyert për presidentin që t’i shpall zgjedhjet e parakohshme brenda 45 ditëve, sipas afatit kushtetues”, ka thënë Baraliu.