Fjalë Kyçe

Zgjedhjet lokale, test për qeverinë dhe opozitën

Zgjedhjet lokale, test për qeverinë dhe opozitën

Zgjedhjet lokale që priten të mbahen këtë vit në Kosovë, shihen si test për qeverinë dhe partitë politike në opozitë, pas zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit, ku për herë të parë një parti politike arriti të marrë mbi 50 për qind të votave.

Mexhide Demolli-Nimani, drejtoreshë në organizatën joqeveritare FOL, tha se pas zgjedhjeve të fundit parlamentare, zgjedhjet lokale do të krijojnë një hartë të re politike, por ndryshimi nuk do jetë i theksuar si në nivel qendror.

“Do të ketë ndryshime, por nga ajo që shihet edhe nga vetë qytetarët, nuk është se janë më të kënaqurit nga të zgjedhurit në nivel qendror. Kështu që nuk besoj se kjo shumicë do të reflektojë edhe në nivel lokal, sepse ka një zhgënjim mjaft të madh sa i përket punës së qeverisë deri më tani, pasi i kanë të gjitha mundësitë që të punojnë dhe marrin vendime më të shpejta, për shkak të shumicës që kanë në Kuvendin e Kosovës”, tha Demolli-Nimani.

Në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare që janë mbajtur më 14 shkurt, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar mbi 50 për qind të votave, duke siguruar 58 ulëse në legjislaturën e re.

Partia Demokratike e Kosovës ka fituar 19 ulëse në kuvend, Lidhja Demokratike e Kosovës 15 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tetë deputetë. Ndërkaq, nga komunitetet, Lista Serbe ka fituar të dhjetë ulëset e garantuara.

LVV: Referendumi i 14 shkurtit do shtrihet edhe në nivel lokal

Lëvizja Vetëvendosje, pas fitores në zgjedhjet e përgjithshme, synon që në zgjedhjet lokale të shtrihet edhe më shumë në nivel lokal. Arlind Manxhuka, zëdhënës në këtë subjekt politik, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tha se “referendumi i 14 shkurtit” do të jetë edhe më i plotë me shtrirjen e LVV-së edhe në nivel lokal, në zgjedhjet që pritet të mbahen në vjeshtë.

“Qeverisjes së drejtë, me politika të mira zhvillimore e sociale në nivel qendror do t’i shtohet edhe qeverisja e mirë për qytetin, fshatin e lagjen në nivel lokal. Andaj, në zgjedhjet lokale të këtij viti, referendumi do të shtrihet edhe nëpër komuna, në mënyrë që një herë e përgjithmonë të largohemi nga keqqeverisja e shkatërrimi jo vetëm i hapësirave, por edhe i pasurive të përbashkëta”, tha Manxhuka.

Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar edhe deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës, por deri në momentin e publikimit të këtij teksti, ata nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje.

LDK: Po rikthehen votuesit

Partia që ka humbur më së shumti në zgjedhjet e 14 shkurtit është Lidhja Demokratike e Kosovës. Nga 28 deputetë sa kishte në legjislaturën e kaluar, tash ka 15 deputetë.

Sibel Halimi, zëdhënëse politike dhe anëtare e kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, konsideron se zgjedhjet lokale do jenë të favorshme për këtë parti. Halimi thotë për Radion Evropa e Lirë se do ketë rikthim të votueseve të LDK-së.