Fjalë Kyçe

Zgjedhjet në Podujevë do të mbahen nesër pavarësisht situatës me koronavirusin

Zgjedhjet në Podujevë do të mbahen nesër pavarësisht situatës me koronavirusin

Komisioni Qendror Zgjedhor ka bërë të ditur në mbledhjen e mbajtur sot se zgjedhjet në Podujevë do të mbahen.

Këtë e ka bërë të ditur vet shefja e KQZ-së, Valdete Daka duke thënë se ka kontaktuar të gjitha institucionet relevante lidhur me çështjen dhe nuk ka ndryshim të rekomandimeve.

“Siç e dini pas situatës që është krijuar me rastin e konfirmimt të dy rasteve të koronavirusit, unë kam komunikuar me të gjitha institucionet relevante edhe me IKSHPK-në, edhe me zyrën e Presidentit edhe përfaqësues të qeverisë dhe meqenëse nga IKSHPK nuk ka ndryshim të rekomandimeve, do të vazhdohet me planin operacional. Pra janë ngritur çështje gjatë ditës së djeshme se a do të ketë anulim ose shtyerje të zgjedhjeve, ne meqenëse si institucion jemi kompetent t’i organizojmë zgjedhjet, kemi kontaktuar me të gjithë ata që janë relevant sa i përket çështjeve shëndetësore dhe meqenëse rekomandimet nuk janë ndryshuar, nuk është ngritur ndonjë çështje tjetër ne vazhdojmë sipas planit operacional”, ka thënë Valdete Daka.

Në anën tjetër është bërë e ditur se përveç fletëvotimeve dhe mjeteve të nevojshme për mbajtjen e zgjedhjeve, janë marrë edhe masa shtesë me dezinfektues dhe mjete të tjera mbrojtëse.

Qytetarët janë lutur t’i zbatojnë rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe të ruajnë qetësinë e mos të shkaktojnë panik.