Fjalë Kyçe

Zhegrasit, të lehtësuar për dënimin e Zmajeviqit në Podgoricë, por duan dënim më të madh

Zhegrasit, të lehtësuar për dënimin e Zmajeviqit në Podgoricë, por duan dënim më të madh

Abedin Kadriu e ka shumë të vështirë sa herë kthehet këtu në vendin ku para 20 vjetëve forcat paramilitare serbe ia vranë babanë.

Nga dhimbja nuk mund të gjejë fjalë ta përshkruajë jetën pa të, e kur mori vesh se vrasësi u shpall të mërkurën fajtor, thotë se sado pak ndihet i lehtësuar, raporton KTV.

Dënimin prej 14 vjet burg për Vllado Zmajeviqin, i cili u dënua për vrasjen edhe të tre civilëve tjerë shqiptarë në Zhegër të Gjilanit, e konsideron të ulët.

Me dënimin e shqiptuar ndaj Zmajeviqit nuk janë të kënaqur as familjarët e tjerë.

Nehat Idrizi thotë se do të konsultohen me avokatin mbrojtës nëse do të ankohen për vendimin.

I dënuari fillimisht ka qenë i akuzuar për vrasjen e 7 civilëve shqiptarë në Zhegër.

Familjarë të viktimave nga masakra në këtë fshat presin që të gjenden edhe fajtorët e tjerë.

Ramiz Demiri pret që të hetohet edhe vrasja e babait të tij, pasi vetëm në këtë mënyrë thotë se do të gjejë paqen e shumëkërkuar.

Vllado Zmajeviqi ishte arrestuar në vitin 2016 nga Prokuroria Speciale e Malit të Zi dhe është i dënuari i parë nga ky nacionalitet për krime lufte në Kosovë.