Fjalë Kyçe

Zhegrova i dëshpëruar me vendimin e Baselit

Zhegrova i dëshpëruar me vendimin e Baselit

Agjenti i Edon Zhegrovës, Marc Van Osselaer është shprehur i dëshpëruar se si Basel nuk ka shfrytëzuar të drejtën e transferimit të Edon Zhegrovës.

31 marsi ka qenë afati i fundit që Basel të aktivizojë të drejtën e blerjes së Zhegroves nga Genk për 3.5 milionë euro.

“Edoni është zhvilluar mirë në Basel, ai kishte dëshirë të qëndronte. Ne jemi të zhgënjyer me vendimin e atyre që janë përgjegjës”, ka deklaruar Osselaer për Blick.

Në pyetjen se a ka rrugëdalje nga kjo situatë, ai ka shtuar: “Jo, është tepër vonë. Ai do të kthehet në Genk pas përfundimit të kontratës ku ai ende ka një kontratë të vlefshme dy vjeçare. Drejtuesit e klubit belg janë të lumtur për këtë”.

Zhegrova kishte bërë një përparim të madh te Basel gjatë këtij viti. Ai deri më tani ka zhvilluar 27 ndeshje konkurruese dhe mbahet mend ndeshja kundër kampionëve të Young Boys, kur shënoi një super gol dhe asistoi një herë në fitoren 3:0.

Agjenti tutje ka zbuluar se ka disa skuadra të interesuara për Zhegrovën.

Kujtojmë se Zhegrova më 31 mars ka mbushur 21 vite, dhe ka një karrierë të tërë para tij.