Fjalë Kyçe

Zhegrova tregon si doli nga Kosova në Evropë

Zhegrova tregon si doli nga Kosova në Evropë

Edon Zhegrova është njëri prej futbollistëve më të përmendur të Përfaqësueses së Kosovës.

Përveç talentit të tij në futboll, Zhegrova përmendet shumë edhe për dukjen e tij.

20-vjeçari i cili në Kosovë luajti për FC Prishtinën dhe Flamurtarin, sot luan te kampioni i shumëfishtë zviceran, Basel.

Nga FC Prishtina, sulmuesi i Kosovës depërtoi në Belgjikë te skuadra e të rinjve të Standardit, për të kaluar më pas në St.Truiden dhe te Genk.

Në janar të këtij viti, Zhegrova siguroi një transferim te Baseli në një marrëveshje huazimi për një vit e gjysmë.

Ndërkaq, në emisionin “NIN”, futbollisti 20-vjeçar ka zbuluar se si ai ia doli të depërtojë nga Kosova në Evropë.

“Kam qenë duke u stërvitur në stadium të Prishtinës dhe kanë qenë duke më shikuar prindërit e mi dhe ka ardhur një telefonatë e papritur prej Vedat Bajramit, i cili na ftoi të shkonim në zyren e tij”, tha fillimisht Edon Zhegrova.

“Pas stërvitjes, kam shkuar menjëherë te Vedati ashtu siç kam qenë. Dhe ai më tregoi se e njeh një shqiptar të suksesshëm në Belgjikë, i cili ka lidhje me futboll”, theksoi ish-futbollisti i Genk.

“Vedati tutje më tregoi se e ka ftuar atë në Kosovë që të vijë dhe të më shikojë. Ai erdhi pas dy javësh dhe më ka shikuar duke luajtur. Në atë ndeshje kam luajtur shumë mirë dhe kam shënuar pesë gola”, potencoi Edon Zhegrova.

“Kam pasur presion paksa, por kam vetëbesim. I besoj cilësive të mia. Nuk e besoja”, shtoi Edon Zhegrova.