Fjalë Kyçe

Zjarr i madh përfshin një shtëpi në Vushtrri, familja kërkon hetim për rrjetin elektrik

Zjarr i madh përfshin një shtëpi në Vushtrri, familja kërkon hetim për rrjetin elektrik

Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë një shtëpi në fshatin Dolak të Vushtrrisë gjatë orëve të vona të natës, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale në pronën e familjes Pllana.

Flakët kanë kapluar shtëpinë e Driton Pllanës, djalit të martirit Sabri Hashim Pllana. Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa dëmet materiale konsiderohen të rënda.

Familjari i tyre, Fitim Pllana, përmes një reagimi në rrjetet sociale ka deklaruar se prej kohësh kishin ngritur shqetësime lidhur me problemet në rrjetin elektrik në këtë lagje.

Ai tha se kishin kërkuar vazhdimisht ndërhyrje nga institucionet dhe ekipet përgjegjëse, të cilat sipas tij kishin identifikuar edhe defekte teknike gjatë inspektimeve në terren.

Megjithatë, sipas tij, shqetësimet nuk janë trajtuar me seriozitetin e duhur, ndërsa ka kërkuar që rasti të hetohet deri në fund për të sqaruar shkakun e zjarrit.

Autoritetet pritet të dalin me raport zyrtar pas ekzaminimit të vendit të ngjarjes dhe hetimeve për shkaqet e incidentit.