Fjalë Kyçe

Zogiani: Me marrëveshjet infrastrukturore Kosova mbetet tranzit, Serbia forcohet

Zogiani: Me marrëveshjet infrastrukturore Kosova mbetet tranzit, Serbia forcohet

Avni Zogiani nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se Marrëveshja për stabilizim ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë, është negociuar në kurriz të Kosovës.

Ai në një konferencë për media ka thënë se me pikën për autostradën, hekurudhën dhe linjën ajrore që lidh Kosovën dhe Serbinë si dhe pikat e tjera, Kosova po vazhdon të “sillet si autoritet jo shtetëror”.

Ndërsa ka shtuar se marrëveshjet infrastrukturore vetëm e kanë forcuar Serbinë.

“Kur flitet për hekurudha, autostrada, në këto marrëveshje nuk gjenden referenca për pikat kalimtare si pika kufitare. Vazhdojmë të pranojmë një proces që thellon sjelljen e Kosovës si autoritet jo shtetëror. Marrëveshje infrastrukturore forcojnë jashtëzakonisht rolin e Serbisë në rrjetin ndërkombëtar të transportit. Serbia do jetë vendi ku do kalojnë dy korridore”, ka thënë ai.

Zogiani ka thënë se me këtë marrëveshje, zhvillimi i Kosovës do të lidhet me atë të Serbisë.

“Qeveria Hoti këto projekte i ka reduktu në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, do të thotë se zhvillimi i Kosovës detyrohet nëpërmjet Serbisë. Gjithçka për zhvillimet infrastrukturore shihet përmes prizmit të Serbisë”.

Ai thotë se përkundër deklaratave se dokumentet e nënshkruara mes palëve ishin të njëjta, dallojnë, teksa shton se për autostradën dhe hekurudhën tek pala kosovare shkruhet se do lidhet Prishtina me Beogradin, ndërsa në atë serbe se do lidhet Prishtina me Nishin.

Nga kjo marrëveshje, Kosova po mbetet tranzit, ka thënë Zogiani.

“Një fakt që është konsistent në këto marrëveshje është se Kosova po mbetet thjesht një vend tranzit ku mallrat që kalojnë për Kosovë janë të lira kurse ato me origjinë nga Kosova pengohen. Kosova ka nënshkruar marrëveshje në bazë të cilës do hapet linjë speciale Prishtinë-Beograd por Kosova vazhdon të ketë probleme me linjën ajrore”.

“Kemi një kryeministër të çuditshëm që mendon se ekonomia mudn të ndahet nga politika dhe se Kosova mund të heqë dorë nga shteti. Nuk mund ta pauzosh shtetin, kështu që është besim naiv i tij”, tha ai.